KF Rahoveci sërish ka lëshuar pikë në shtëpi, kësaj radhe ndaj Kosovës së Prishtinës, në një barazim prej 2-2.
Ndeshja nga fillimi i dominua nga KF Rahoveci, ku u vërtetuan telashet me Hamëz Merxhën, ndaj të cilit duket se janë marrë masa nga klubi dhe i cili nuk u paraqit në ndeshjen ndaj Fushë Kosovës, e madje as nuk ishte në pankinë.
Një kundërsulm i shpejt i Kosovës së Prishtinës u konvertua në gol në minutën e 19-të, kur mbrojtja e KF Rahovecit u zu në befasi për 0-1.
Vetëm tri minuta më vonë ishte Hamid Mullabazi i cili në mënyrë të shkëlqyer u hap në zonën kundërshtare (22′) për të shënuar me një goditje të ulët për 1-1.
Në pjesën e dytë u inkuadrua Gëzim Mullaavda në një përpjekje për të rritur forcën ofanzive në sulm, pas dy shtyllave në pjesën e parë.
Por, me të filluar pjesa e dytë pas një ore lojë (60′), ishte një harkim ai që përfundoi në kokën e një prej lojtarëve kundërshtarë dhe që hyri edhe në portën e Haxhihamzës për 1-2.
Vetëm gjashtë minuta më vonë (66′) ishte një gjuajtje spektakolare e Bajram Krendalit nga gjuajtja e lirë ajo që përfundoi në portën kundërshtare për 2-2 dhe gëzimin e madh në stadium.
Duke parë që KF Rahoveci po sulmonte, mysafirët deri në fund i kanë pasur katër raste të pastra për të shënuar, por Haxhihamza ishte i vëmendshëm në mbrojtjen e hutuar vendase, teksa edhe fati atë po ashtu e ndihmoi.
KF Rahoveci kështu sërish lëshon pikë në shtëpi ndaj një skuadër që ka mundur ta mposhtë, teksa tash priten duelet e vështira ndaj skuadrave që kërkojnë Superligën. /Rahoveci24/