Gjatë ditës së enjte kanë ndodhur zhvillime të shumta politike në komunën e Rahovecit.
Ishte Rahoveci24 që zbuloi një marrëveshje në parim për koalicion mes Dervish Çadrakut dhe Smajl Latifit, që hasi në kundërshtim të fuqishëm të strukturave të VV-së dhe ish kandidatit për kryetar, Visar Korenica, i cili madje paralajmëroi edhe dorëheqjen.
Për shkak të këtyre zhvillimeve, Rahoveci24 mëson se gjatë ditës janë takuar përfaqësues të PDK-së dhe LDK-së, ku është diskutuar për qasjen në Kuvendin Komunal.
Latifi pa koalicion emëroi shumicën e drejtorëve të rinj dhe kjo ka irrituar partnerët e mundshëm të koalicionit.
PDK dhe LDK janë pajtuar që të mos bëjnë koalicion me Latifin pasi kanë refuzuar tashmë ofertat e tij.
Po ashtu, PDK dhe LDK që kanë 17 vota në Asamble, llogaritur edhe ndonjë asamblesit të VV-së që kanë diferenca të thella me Çadrakun, atëherë këto dy subjekte llogarisin që të zgjedhin kryesuesin nga radhët e tyre dhe Rahoveci24 mëson se emri i propozuar është Sali Salltëku.
Tash si duket topi i mbetet VV-së që të marrë vendimin përfundimtar.
Përkundër marrëveshjes në parim të Çadrakut, Rahoveci24 mëson se VV duhet të thërrasë Këshillin e degës së VV-së në Rahovec (dy antarë për një pikë) dhe me shumicë votash të miratohet ose rrëzohet propozimi i Çadrakut.
Në rast se hidhet poshtë propozimi i Çadrakut dhe Visar Korenica arrin të mobilizojë strukturat për të bllokuar një tentim për koalicion me Latifin, atëherë kryetari i porsa zgjedhur nuk do të ketë vota për të miratuar projektet esenciale dhe kështu me shumë gjasë mund të mbahen sërish zgjedhjet për Asamble.
Situata politike në Rahovec dhe ky momentum i ri është krijuar pas thellimit të hendeqeve mes subjekteve politike, pasi Smajl Latifi emëroi një nga një pjestarë të kabinetit të tij nëpër drejtori pa u vendosur koalicioni, veprim ky që ka irrituar tej mase subjektet tjera politike kurse për VV-në është i papranueshëm për shkak të periudhës trevjeçare ku ai në fushatë është akuzuar për keqpërdorime.
/Rahoveci24/