Përkrahja e madhe që ka pasur kandidatja për deputete nga radhët e PDK-së, Beatrisa Pista Demiri, nuk ka mjaftuar që ajo të jetë pjesë e legjislaturës së ardhshme.
Pas një fushate mjaft dinamike e nisur shumë kohë para afatit zyrtar dhe komunikimit me qytetarë, Beatrisa u konsiderua si kandidate serioze për të shkruar historinë si femra e parë nga qytetii Rahovecit që arrin të jetë në mesin e deputeteve në legjislaturën e ardhshme.
Megjithatë, përkrahja e madhe që ka marrë nga gjithë Kosova nuk ka mjaftuar që ajo të jetë pjesë e Kuvendit.
Beatrisa mori afro 6 mijë vota (5984) duke qenë një nga femrat më të votuara të koalicionit PAN, por me 900 vota prapa Safete Hadërgjonajt dhe Luljeta Veselaj – Gutaj, të dy kandidate që kanë fituar për herë të tretë mandatin e deputetes.
Edhe pse ishte hera e parë për të që garoi në zgjedhjet parlamentare, rezultati që ajo kori ishte tejet pozitiv, pavarësisht që asaj nuk ja sigurio mandatin numri i votave të fituara.
Konkurrenca brenda koalicionit, mos bashkëpunimi me kandidatët tjerë, rritja dramatike e Vetëvendosjes dhe rënia e PDK-së në rang kombëtar kanë ndikuar që numri i nevojshëm i votave të jetë afro 7 mijë për deputetet femra, për dallim nga zgjedhjet e kaluara ku deputetet femra kanë siguruar mandatin me 2500 vota.
Pista Demiri arriti të fitojë 1500 vota në qytetin e Rahovecit, duke u bërë personi më i votuar nga të gjithë kandidatët dhe liderët tjerë, madje më shumë se kandidati për kryeministër, Avdullah Hoti. Por, as ky numër nuk mjaftoi që ajo të bëjë diferencën në fund, pasi dalja në qytet ishte tejet e ulët, shkruan Rahoveci24.
Në komunën e Rahovecit ajo fitoi plot 3500 vota, ku mori përkrahje të madhe nga Krusha e Madhe dhe fshatrat tjera, të cilat u treguan të unifikuar në përkrahje të Pista Demirit dhe Smajl Latifit, dy kandidatët që shpëtuan fytyrën e PAN-it në Rahovec.
Konkurrenca me kandidatin për kryeministër, rritja e madhe e Vetëvendosjes dhe dalja e ulët në zgjedhje në Rahovec kanë ndikuar që Pista Demiri në fund të mos ja dalë për një diferencë të vogël votash, duke pësuar kështu humbjen e parë të saj në karrierën politike pas 10 viteve të suksesshme duke qenë gjithmonë asambleistja më e votuar.
Vet Beatrisa Pista Demiri nuk ka dashur të flasë për rezultatin e zgjedhjeve duke thënë shkurt se është e kënaqur me përkrahjen që ka marrë, por udhëheqësit e fushatës së saj kanë marrë përgjegjësinë për dështimin në luftën për të siguruar një mandat për qytetin e Rahovecit pas plot një dekade mungese të përfaqësimit. Sipas tyre është dashur të bëhet më shumë në shumë aspekte dhe se nuk mjaftoi vetëm fushata dinjitoze e dimensioneve ndërkombëtare, pasi zgjedhjet në Kosovë fitohen “ndryshe”.
Nga ana tjetër, dega e PDK-së në Rahovec ende nuk ka bërë asnjë komunikim sa i përket rezultatit, duke mos treguar nëse kanë përgjegjësi sa i përket mos suksesit, ashtu siç kanë bërë udhëheqësit e fushatës së kandidates për deputete të cilët nuk i kanë ikur përgjegjësisë për dështimin në fjalë.
Mbetet të shihet cili do të jetë hapi i radhës i kandidates që u vlerësua si një prej kandidateve më të kompletuara në këto zgjedhje nacionale.
PAN ka fituar 39 deputetë, kurse PDK vetëm 24 deputetë, 15 më pak se nga legjislatura e kaluar. /Rahoveci24/