Kryetari i degës së AAK-së në Rahovec, Smajl Latifi, i cili është rivali kryesor i kryetarit të komunës, Idriz Vehapi, ka lansuar një mal kritikash në drejtim të tij.
Emisioni “Jeta në Kosovë” u përshkua si një pengesë e kaluar për kryetarin, i cili arriti t’i argumentojë të metat dhe mos realizimin e premtimeve, ashtu sikurse të punësimeve kontraverse, shkruan Rahoveci24.
Por, kështu nuk mendon Smajl Latifi i cili në shumë pika ashpër ka sulmuar kryetarin.
Mes tjerash, Latifi thotë se Vehapi nuk e ka gjatë në postin e kryetarit të Komunës së Rahovecit.
Postimi i plotë i Latifit:
Me shkas!
Duke e përcjellur debatin ‘Jeta në komunë’
…
Nga debati i mbajtur me kryetarin e komunës së Rahovecit kuptova se kemi të bëjmë me:
– Premtime të pambajtura;
– Justifikime për mospunën dhe për ngecjet evidente;
– Zvogëlim të dukshëm në vend se të bëhet rritje e buxhetit për bujqësi;
– Punësime familjare dhe të militantëve partiakë;
– Shumë kontrata mbi vepër dhe siç tha kryetari do t’i bëjë edhe shumë të tjera për njerëzit e tij;
– Shkelje ligjore, por edhe tendenca të vazhdueshme për t’i arsyetuar shkeljet;
– Improvizime dhe lojë fjalësh që shprehin mungesën e vizionit dhe të vullnetit për t’ju shërbyer qytetarëve, pa dallim;
– Pasaktësi dhe “mungesë” informacionesh për atë se çfarë po ndodh në komunë;
– Prepotencë dhe aspak modesti;
– Mungesë të madhe të transparencës dhe llogaridhënies;
– Përmbushje të interesave dhe individuale të njerëzve që i takojnë koalicionit PDK-LDK, pa qarë kokën për interesin e përgjithshëm qytetar;
– Shkelje flagrante në çështjet e punësimit në arsim dhe degradim të sistemit;
– Ngecje dhe vonesa të çuditshme që flasin për mosfunksionim normal të rrjetit të QMF-ve e të AMF-ve, njëkohësisht edhe dobësi të theksuara në përfshirjen dhe menaxhimin e kapaciteteve të shumta të mjekëve familjarë, stomatologëve dhe punëtorëve të tjerë shëndetësorë;
– Ankesat dhe vajtimet për borgjet që i paska pas trashëguar nga qeverisja që drejtohej nga ne, ishin dhe mbeten preteksti për justifikim të pazotësisë së tij dhe për mungesën e suksesit, të cilat duket se nuk po i pijnë më ujë;
– Fjalë të shumta për atë se çfarë paska bërë dhe çfarë do të bëjë qeveria e Kosovës në Rahovec, duke qenë jo bindës, dhe nuk na tregoi se çfarë ka bërë dhe çfarë do të bëjë Ai për Rahovecin.
…
PS. I shkëputa disa përfundime nga debati ‘Jeta në Komunë’. Ka plot gjëra që nuk u trajtuan në këtë debat. Është e kuptueshme! Qytetarët po flasin përditë për të bërat dhe të pabërat në komunën e Rahovecit, po bëjnë krahasime si qeverisej dje dhe si po qeveriset sot, sa punë dhe sa me përkushtim ndaj ligjit dhe për qytetarët bëheshin dikur dhe ku jemi sot…
Qytetarët e Rahovecit sot flasin kudo, ashtu siç do të flasin edhe nesër. Po afrohet koha kur do ta thonë fjalën e vetë, edhe në kutitë e votimit. Deri atëherë, ne këtu në AAK, dega në Rahovec, vazhdojmë të bëhemi gati.
/Rahoveci24/