Pas referimit tej mase skandaloz, është ndërprerë ndeshja mes KF Rahovecit dhe Flamurtarit.
Po rridhte minuta e 70-të e ndeshjes, kur pas dominimit të plotë të Rahovecit, reagoi gjyqtari kryesor i takimit për të ndihmuar ekipit mysafir, Flamurtarit, që si duket ishte në agjendë të planifikuar një rrjedhë e tillë e ndeshjes.
Pas një kundërsulmi të Flamurtarit sulmuesi në tentim për të goditur topin e lëndon rëndë portierin Kenan Haxhihamza, çka ishte një faul i pastër në portierin tonë, por përkundër faktit se anësori ngriti flamurin për faul, këtë nuk e bëri gjyqtari kryesor nga Gjakova, i cili edhe pse Kenani ishte në tokë i lënduar rëndë nuk ndërpreu lojën dhe la portën e Rahovecit të zbrazët, që më pas ishte lehtë për Flamurtarin të shënojë dhe të ikë në shtëpi me një fitore të kurdisur kaq mjeshtrit me arbitrin e takimit.
Ky vendim irritoi tej mase publikun dhe lojtarët. Publiku reagoi keq duke hedhur gjësende në fushë dhe duke fyer gjyqtarët, teksa lojtarët sulmuan gjyqtarin, i cili nuk merrte parasysh asnjë jusfitikim dhe kërkoi që goli të pranohej. Një vendim ky që në asnjë vend normal në botë nuk mund të ndodhë, por në Kosovë ndodh që kur një lojtar është i lënduar (këtë rast portieri), të vazhdojë loja, ani pse vendi jonë u pranua në UEFA dhe FIFA.
Më pas intervenoi edhe policia e Kosovës e cila u mor me publikun dhe me lojtarët, e madje edhe sulmoi kapitenin Bajram Krendali, i cili po mbronte zëshëm drejtësinë në këtë takim dhe parimet bazë të futbollit, pavarësisht kërkesave të kryesisë që të mbahet qetësia, një gjë e tillë nuk mund të mbretëronte te lojtarët pas këtij skandali, pasi ashtu si Bajrami, edhe lojtarët tjerë dhanë gjithçka në fushë dhe fitorja u vodh prej tyre në mënryrën më barbare të mundshme.
Kenan Haxhihamza u dërgua në spital në gjendje të rëndë pas goditjes që mori, teksa ndeshja u ndërpre nga gjyqtari, pasi ashtu ishte plani i tij bashkë me ekipin mysafir, me të cilin u organizua agjenda shumë mirë që këto tri pikë të shkojnë te Flamurtari që kërkon hyrjen në Superligë.
Pas ndërprerjes së ndeshjes pritet një ankesë zyrtare nga KF Rahoveci në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) me video regjistrimet e ndeshjes të cilat janë marrë nga tribunat rreth këtij skandali, por duke marrë parasysh se edhe referët janë me agjenda dhe se ka ndikime të jashtme, nuk pritet vendim pozitiv për Rahovecin që të zhvillohet kjo ndeshje edhe një herë, por pritet që klubi jonë të dënohet me rezultat zyrtar.
Ky skandal i referimit që ndodhi në Rahovec nuk i ndihmon aspak klubit tonë, por Flamurtarit, të cilët duhet ta dinë se vetëm me futboll dhe jo me agjenda të planifikuara dhe të fiksuara mund të arrijnë në Superligë.
KF Rahoveci vazhdon të mbajë vendin e fundit me të gjitha pikët e fituara ndershëm, teksa në javët në vijim do të tentohet seria e ardhshme e fitoreve. /Rahoveci24/