Traneri i KB Rahovecit, Jeton Nixha, ka deklaruar pas ndeshjes ndaj Trepçës se ai është i zhgënjyer nga rezultati dhe performanca e lojtarëve të tij.
KB Rahoveci nuk arriti që as pas vazhdimeve të mposhtë Trepçën në Gjakovë, në një ndeshje ku ekipi jonë bëri shumë gabime dhe nuk arriti që të bëjë diferencën në momentet vendimtare për të triumfuar.
Në këtë ndeshje mungoi Mustafë Merovci, lojtari më konsistent në fazën ofensive dhe për trajnerin mungesa e tij ka qenë vendimtare, megjithatë thotë se ekipi ka mundur ta arrijë fitoren e katërt radhazi.
“Trepça është Trepçë. Dihet çfarë tradite ka. Megjithatë, do të ishte e jashtëzakonshme që ta mposhtnim në vitin e parë në Superligë. Do të ishte një tjetër vulë e fuqishme e punës së bërë këtë sezon me kryesinë e klubit, kualitetin e të cilës nuk duhet ta vë askush në pikëpyetje. Besoj e kemi parë ndaj Yllit se çka jemi në gjendje të bëjmë”.
“Por, së pari Bashkimi më pas edhe Trepça, dy ndeshje të humbura në vazhdime me rezultat të ngushtë para publikut tonë. Kjo më brengos. Duhet të punojmë që të fitojmë eksperiencën në momentet vendimtare. Duhet të punojmë që të jemi më të qetë. Na mungoi qetësia dhe koncentrimi në momentet kyçe të takimit. Dua të përgëzoj Trepçën për lojën e bërë, sidomos në mbrojtje, por ne në asnjë moment nuk kemi qenë inferiorë”.
“A u vërejt mungesa e Mustafës? Natyrisht se u vërejt. Ai është një garanci si në sulm, ashtu edhe në mbrojtje. Eksperienca e tij është shumë e rëndësishme për këtë ekip, që sot nuk ishte në elementin që unë e njoh, ky ekip nuk ishte as hija e atij ekipi që kam parë ndaj Yllit javën e kaluar”.
“Më vjen keq për tifozët që nuk arritëm të fitojmë. Kam ndjerë se kemi mundur ta bëjmë këtë. Megjithatë, tri fitore rresht, një fitore e madhe ndaj Yllit në Suharekë, mendoj se ekipi ka meritat e veta dhe është realizuar premtimi i dhënë kohë më parë se do të arrijmë së paku tri fitore. Por, kurrë nuk ndalemi. Kemi edhe tri ndeshje, në këto tri ndeshje gjithçka mund të ndodhë, pavarësisht se e dimë diferencën në kualitet me Pejën, Bashkimin dhe Prishtinën, por ne kemi punuar dhe jemi gati të ballafaqohemi me secilin ekip. Shpresoj në rikthimin e shpejt të Ylli Gashit, talentit tonë i cili theu hundën ndaj Yllit. Tri ndeshjet e fundit do të jenë shumë me rëndësi”, potencoi Jeton Nixha pas dramës ndaj Trepçës.
KB Rahoveci humbi 76-78 pas vazhdimeve në një ndeshje shumë dramatike, e cila u menaxhua mirë nga trajneri në momentet e fundit, por ekzekutimi në parket ka lënë për të dëshiruar.
Shikoni minutat e fundit të ndeshjes: