22 Prilli, Dita Ndërkombëtare e Tokës, është shënuar me një varg aktivitetesh dhe pastrimit të rrugëve të qytetit, ku kanë marrë pjesë nxënësit e shkollave fillore, aktivistët e Qendrës Rinore në Rahovec dhe punëtorët e Ndërmarrjes ” Ambienti “.
Aktivitetet në shënimin e kësaj dite, kanë filluar nga oborri i Komunës së Rahovecit, ku kryetari Idriz Vehapi i njoftoi nxënësit të pranishëm me rëndësinë e kësaj dite dhe në vazhdim u shpreh se kjo ditë për herë të parë ka filluar të shënohet në SHBA, të cilit kanë parë të arsyeshme se toka dhe ambienti në përgjithësi duhet të mbrohen nga ndotja. Edhe qyteti ynë, por edhe pjesët rurale duhen të jenë të pastërta, ashtu që edhe delegacionet që vijnë nga shtetet perëndimore, të binden se ne në Kosovë e duam ambientin, natyrën dhe dimë t’i ruajmë ato.
Në orët e pasdites, në lokalet e Qendrës Rinore është hapur ekspozita e vizatimeve kushtuar mbrojtjes së ambientit, ku për vizatimet më të mira janë shpërblyer nxënësit e shkollës fillore ” 7 Shtatori”.