Këto ditë , në qytetin Lille të Francës është mbajtur konferenca e 11-të shkencore me titull: “Mësimi i gjuhës arabe për të huaj nëpërmjet mjeteve elektronike”.
Konferenca është organizuar nga instituti Ibn Sina për shkenca humane me seli në Lille/Francë, në bashkëpunim me Universitetin Elektronik Saudian dhe nën patronatin e Parlamentit Evropian.
Dr. Muhamed el-Beshari, drejtor i institutit, në fjalën e tij hyrëse, përmendi rëndësinë e mësimit të gjuhës arabe, sidomos nga të huajt në Evropë, me qëllim të komunikimit më të lirshëm, duke marrë parasysh se gjuha arabe është gjuha e gjashtë zyrtare në OKB, të cilën e flasin rreth 300 milionë njerëz në botë.
Në këtë konferencë morën pjesë rreth 80 studiues nga 20 shtete të ndryshme: Arabi Saudite, Marok, Emiratet e Bashkuara Arabe, Sudan, Algjeri, Tunis, Egjipt, Jordani, Pakistan, Liban, Katar, Kosovë, Malajzi, Turqi, Itali, Angli, Palestinë etj. Konferenca i zhvilloi punimet dy ditë (6-7 maj), gjatë të cilave studiues i prezantuan rezultatet e tyre të fundit në fushën e gjuhësisë.
Jahja Hondozi, ligjërues i gjuhës arabe në Fakultetin e Filologjisë, dega e Orientalistikës në Prishtinë, ishte i vetmi prezantues shqiptar, i cili në këtë konferencë paraqiti punimin e tij në gjuhën arabe, me titull: “Disa metoda praktike për përvetësimin e gjuhës arabe nga shqiptarët”.
Përshtypjet e prof. Jahja Hondozit nga konferenca janë mjaft të mira: “Duke u nisur nga fakti, se përveç tjerash, ishte një rast i mrekullueshëm për të vënë kontakte të ndryshme me institucionet relevante nga mbarë bota arabe.
Këto lidhje duhen shfrytëzuar gjithashtu edhe për të realizuar marrëveshje bashkëpunimi me institutet dhe universitetetet e ndryshme arabe për shkëmbim të stafit akademik e studentëve.” Hondozi që është përkthyes i njohur shumë librave si dhe autor i librave të arabishtes për të huajtregon tregon edhe për synimin kryesor të kësaj konference. ”
Në këtë konferencë theks të veçantë iu është kushtuar metodave bashkëkohore për mësimin e arabishtes, nëpërmjet mjeteve teknologjike, e po ashtu mbështetjes që duhet dhënë të gjithë atyre që merren me mësimdhënien e arabishtes për të huaj, që ishte synimi kryesor në këtë konferencë” .
Prof. Jahja Hondozi, në punimin e tij fokusin kryesor për mësimin e arabishtes e orientoi në dy elemente, e që janë: 1. Dëgjimi sa më i shpeshtë në gjuhën arabe dhe 2. Përpjekja e të folurit në gjuhë arabe. Konferenca i përmbylli punimet me disa rekomandime, si p.sh. Formimi i një institucioni të veçantë botëror për mësimin e gjuhës arabe nga të huajt, botimi i një reviste të veçantë në gjuhën arabe, mbështetja e të gjithë atyre që merren me mësimdhënien e gjuhës arabe të huajve, trajnimi i mësimdhënësve të gjuhës arabe etj. /Lajmi.net