“Miratohet”, e më pas “nuk miratohet” – gabimet gjatë votimit në komisionet parlamentare

Dy herë brenda dhjetë dite votimet në Komisionet parlamentare të Kuvendit të Kosovës për Projektligje po numërohen gabim.

Rasti i parë, ku fillimisht u tha se u miratua një projektligj dhe më pas rezultoi se nuk ka pasur kuorum për vendimmarrje është ai i 29 nëntorit lidhur me Projektligjin për Pensionet e Zyrtarëve Policorë të Policisë së Kosovës.

640x74

Rasti i dytë ndodhi të mërkurën ku në Komisionin për Buxhet u tha se u miratua në parim Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondet pensionale të Kosovës, përmes të cilës mundësohet tërheqja e 30 për qind të kursimeve nga Trusti.

Në mbledhjen e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, kryesuar nga kryetari Bekë Berisha, më 29 nëntor u shqyrtua në parim Projektligji për Pensionet e Zyrtarëve Policor të Policisë së Kosovës dhe pas përfundimit të debatit u tha se Projektligji u miratua në parim.

Por, disa orë më pas ka lëshuar në njoftim Kuvendi i Kosovës duke thënë se “Pas shterimit të diskutimit, kryetari Berisha e hodhi në votim propozimin për procedim të Projektligjit në shqyrtim të parë në seancë të Kuvendit dhe në votim morën pjesë vetëm pesë anëtarë të Komisionit. Rrjedhimisht nuk pati vendimmarrje për këtë pikë…”.

E gabimi me votim ndodhi sërish edhe të mërkurën.

Në mbledhjen e Komisionit për buxhet u tha se është miratuar në parim Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondet pensionale të Kosovës, përmes të cilës mundësohet tërheqja e 30 për qind të kursimeve nga Trusti.

Miratimi i këtij projektligji u tha se është bërë me 4 vota pro, 3 kundër dhe 2 abstenime.

Reklama

Por, disa orë më pas, përkundër që në mbledhjen e Komisionit për Buxhet dhe Financa ishte konstatuar votimi në parim i Projektligjit që mundëson tërheqjen e mjeteve të Trustit, kryetari i Komisionit Armend Muja tha se në bazë të Rregullores së re të Kuvendit të Kosovës nuk ka kaluar ky projektligj.

Deputeti Muja në mbledhjen e radhës të këtij komisioni që po mbahej më pas, tha se nuk ka pasur vota të mjaftueshme për Trustin. Sipas tij, do të duhej të ishin 5 vota për, jo katër.

E për punën e legjislativit, më 28 korrik 2022 ka hyrë në fuqi Rregullorja e re e Kuvendit të Kosovës. /Telegrafi/

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.