Legjenda e KB Rahovecit, trajneri Valentin Spaqi, ka deklaruar pas triumfit historik se emocion më të mirë pas triumfit në ndeshjen vendimtare finale ndaj Dritës, nuk ka.
Spaqi foli për portalin sportiv Borozani pas ndeshjes, në mesin e dhjetëra mediave të mëdha vendore që e përcollën ngjarjen kryesore të basketbollit në Kosovë të kësaj jave.
Kampioni i Kosovës në basketboll si lojtar, tash do të provojë si trajner që të shtrijë autoritetin e tij me klubin e ri nga qyteti i cili për herë të parë nga paslufta do të marrë pjesë në garën elitare të basketbollit, sukses që mundësoi tekniku prizrenas, që tash në Rahovec është legjendë.
“Nuk mund t’i shpjegoj emocionet, nuk ka emocione më të mira. Sa i përket tifozëve, në qytetin e Rahovecit ka rilindur basketbolli. Këtu ka mundësi për punë, kushtet janë të mira dhe mendoj që Rahoveci e ka merituar Superligën, sepse ka potencial të jashtëzakonshëm. I falëndëroj tifozët për përkrahjen, e falëndëroj kryetarin Bekim Hoxha, i cili asnjëherë nuk ngurroi të na dhuronte mbështetje maksimale dhe të gjithë bashkë e arritëm qëllimin tonë për të qenë në Superligë sezonin e ardhshëm. Ashtu siç e kam thënë gjithmonë, e përsëris shprehjen time që trimit dhe punëtorit i ndihmon Zoti. Edhe neve na ndihmoi Zoti”, u shpreh legjendari Spaqi.
Nga viti i ardhshëm Rahoveci do të jetë pjesë e Superligës së Kosovës në basketboll, ndërsa thuhet që edhe fondet nuk do të mungojnë.