Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi ka njoftuar se sot janë publikuar raportet e komisioneve për vlerësimin e dëmeve në komunën e Rahovecit nga përmbytjet dhe vërshimet, vlera e të cilave kap shifrën prej 3,546,477.66 eurosh.
Latif ka thënë se si pasojë e të reshurave të mëdha të shiut, më 17 shtator të këtij viti, komuna e Rahovecit është goditur në masë të madhe nga përmbytjet si në: shtëpi banimi, ekonomi familjare, biznese, hapësira dhe objekte publike, bujqësi etj.
“Me vendimin tim janë formuar edhe komisione të veçanta të regjistrimit dhe vlerësimit të dëmeve si në: amvisëri, ekonomi të shumta familjare e biznese, bujqësi dhe infrastrukturë publike. I falënderoj anëtarët e secilit komision të cilët kanë bërë një punë të mirë në terren, ku edhe pse ishin në grevë, u përkushtuan ta kryejnë punën e vet me përgjegjësi dhe profesionalizëm. Në raportet e përgatitura nga komisionet për vlerësimin e dëmeve në bujqësi, ekonomi familjare dhe biznese, amvisëri e infrastrukturë publike, është paraqitur vlera e dëmit total është: 3, 546,477.66 €”, ka njoftuar ai.
Gjithashtu, Kryetari Latifi ka njoftuar se janë bërë kërkesat në Qeverinë e Kosovës për kompensimin të dëmeve, sepse, sic ka thënë ai, një barrë e tillë financiare është shumë e rëndë dhe e papërballueshme për buxhetin e komunës së Rahovecit.
“Kërkesat janë parashtruar për Kryeministrin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, z.Albin Kurti dhe ministritë gjegjëse: MBPZHR, MAPL, MMPHI, MINT, ku edhe kemi kërkuar që të ndahet buxhet për t’i kompenzuar qytetarët e dëmtuar të komunës sonë. Si Kryetar i Komunës shpreh shqetësimin tim për situatën e krijuar si pasojë e përmbytjeve dhe vërshimeve, njëkohësisht kërkoj përkrahje nga Qeveria për ta tejkaluar më lehtë gjendjen momentale, duke insistuar në kompenzimin e dëmeve të mëdha – tashmë të ditura, pas vlerësimit nga ana e komisioneve tona”, ka shkruar në fund Latifi.
Për më shumë detaje, të bashkëngjitur gjeni: Raportet e komisioneve për vlerësimin e dëmeve në linqet e mëposhtme:
https://kk.rks-gov.net/…/Raporti-i-demeve-ne-bujqesi-17…