Kush janë vrasësit e Elvis Pistës? Institucionet e drejtësisë ende pa përgjigje !

Në natën mes 14 dhe 15 qershorit të vitit 2014, rreth orës 00:45 në oborrin e restorantit “Jaha” në Rahovec ishte vrarë kandidati për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës nga kjo komunë, Elvis Pista.

Që nga ajo kohë kanë kaluar gati dy vite dhe ende nuk janë zbardhur detaje sa i përket vrasjes misterioze të Pistës.

640x74

Portali Teleskopi.net ka kontaktuar me zyrtarë të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, mirëpo siç kanë thënë ata nuk mund të japin detaje rreth kësaj lënde, përderisa hetimet edhe më tutje janë duke vazhduar.

“Sa i përket informative lidhur me lëndën e të ndjerit Elvis Pista nuk mundemi t’iu japim asnjë informatë. E, arsyeja është se akoma janë duke u zhvilluar hetimet rreth kësaj lënde”, thuhet në përgjigjen e tyre me shkrim, duke na sugjeruar që për këtë të bisedojmë me ushtruesin e detyrës së Kryeprokurorit në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, Ali Selimaj.

Është kontaktuar edhe Selimaj, mirëpo ai është shprehur se është shumë i zënë dhe se nuk mund të përgjigjet.

Edhe zëdhënësi i Prokurorisë së Shtetit, Ekrem Lutfiu ka thënëse nuk mund të japin detaje, përderisa lënda është në fazën e hetimeve.

“Lënda në fjalë ende është në fazën e hetimeve, andaj nuk mund të japim më tepër të dhëna”, thuhet në përgjigjen e Lutfiut.

Rikujtojmë se muaj më parë, motra e Elvisit, Beatrisa Pista ka thënë se familja do të shpërblejë me 200 mijë euro personin që e jep informacionin që çon deri në zbulimin e vrasjes së Elvisit.

Po ashtu, ajo ka thënë se dëshmitari do të ketë mbrojtje nga autoritetet e policisë.

Elvis Pista ishte vrarë një javë pas zgjedhjeve, në të cilat kishte marrë numër të konsiderueshëm të votave, megjithatë vrasja nuk është cilësuar asnjëherë si vrasje politike.

Por, familjarët, miqtë dhe qytetarët e Kosovës pyesin se kush e varaku Pistën dhe kur do të dalin para drejtësisë vrasësit e tij? .

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.