Kryetari Latifi nuk pranon intervistën, këto janë 20 pyetjet për të

Kryetari i komunë së Rahovecit, Smajl Latifi, ka treguar agresivitet të hatashëm mbrëmjen e kaluar në raport me gazetarët dhe mediat lokale, por nuk pati guxim që të realizojë një intervistë me 20 pyetje rreth brengave të qytetarëve.

Në një artikull të Rahoveci24 që përshkroi heshtjen e institucioneve me zhvillimet rreth palestrës, e cila është dashur të përurohej më 28 nëntor, por që sërish dështoi, Latifi reagoi në formë spektakolare, pa pasur fare nevojë, vetëm pse qytetarët kërkuan të dinë më shumë rreth gjendjes së atij procesi që filloi 10 vjet më parë.

Edhe pse e sulmoi portalin Rahoveci24, mediumi i ka dhënë mundësinë për një intervistë me 20 pyetje, të drejpërdrejtë dhe me kamera, të cilës kryetari Latifi nuk ju përgjigj, sërish duke dëgjuar këshilltarët e tij të cilët nuk kanë lidhje me menaxhimin e marrëdhënieve me publikun.

Më poshtë janë 20 pyetje e përgatitura për kryetarin Latifi të cilat do të vijnë me fakte me raportime veç e veç në ditët në vijim, pasi që kryetari refuzoi të përgjigjej:

Pyetja 1:

Na sulmuat, por po e fillojmë me notë pozitive për ju. Përgëzime për guximin rreth projektit të palestrës. Por, pse janë ndalur punimet në 10 ditët e fundit? Dhe, pse keni heshtur, e ju ka penguar interesimi i qytetarëve për rrugën ku gjendet ky proces? A është e vërtetë se keni kërkuar që kjo palestër të përurohet më 28 nëntor?
A është e vërtetë se nuk ka mjete për përfundimin e fazës finale dhe rrezikohet hyrja në zgjedhje dhe mbetja e projektit sërish në gjysmë? A ju shtyu kjo që të reagoni në formë të tillë?

Pyetja 2:

Keni përqëndruar shumicën e investimeve në zona rurale. Rahoveci sipas qytetarëve, është neglizhuar. A është e vërtetë se keni bërë investime në baza lokaliste, ashtu siç edhe i morët votat në zgjedhjet e fundit?
A po investohet më shumë në Ratkoc se sa në zona tjera të komunës së Rahovecit?

Pyetja 3:

A është e vërtetë se keni dëmtuar buxhetin e komunës së Rahovecit duke lejuar punë shtesë në tenderë, edhe pse keni premtuar se nuk do ta bënit një gjë të tillë?
Shembull për këtë është muzeu i qytetit dhe dritat në rrugën “UÇK” që megjithëse ishin funksionale, ju vendosët t’i ndërronit.

Pyetja 4:

Punët shtesë në tenderë ndërlidhen me shpërblime për ata që ju ndihmuan në fushatë. Keni shpërblyer ata që zellshëm ju shërbyen në fushatën zgjedhore. Një prej tyre është edhe drejtori aktual i Urbanizmit, Rumir Zhuniqi, i cili gjatë kohës sa ishte fushata, dhe për katër vitet e fundit, ishte pronar dhe gazetar në portalin lokal RahovecPress.com.
Pasi që keni akuzuar Rahoveci24 si medium shpifës dhe që bën fushata, a nuk mendoni se ju keni bërë një gjë të tillë personalisht, duke kontrolluar një medium tjetër për vite të tëra dhe që më pas keni shpërblyer pronarin e këtij mediumi me pozitë në drejtorinë e Urbanizmit?
A është e vërtetë se zotëri Zhuniqi nuk ka asnjë kualifikim që e ndërlidh punën e tij me Urbanizëm dhe se deri vonë ushtroi profesionin e gazetarit?
A është e vërtetë se ai kryen më shumë funksionin e këshilltarit për marrëdhënie me publikun e sa funksionin që e bën?
Dhe nëse ai që dikur ka ushtruar të drejtën e gazetarit ju ka shtyrë të kërcënoni një medium dhe të thyeni fjalën e lirë, a nuk mendoni se duhet ta shkarkoni menjëherë?
A nuk mendoni se nuk është dashur ta emëroni fare, pasi që nuk përmbush kualifikimet për drejtorinë përkatëse? Ju keni premtuar drejtorë profesionalë dhe të kualifikuar.

Pyetja 5:

Keni punësuar shumë militanë me kontrata mbi vepër, më shumë se sa ju lejoi ligji. A është e vërtetë se keni punësuar staf politik në komunën e Rahovecit të cilët paguhen dhe asnjëherë nuk paraqiten në vendin e punës? Emri është i njohur për redaksinë dhe qytetarët

Pyetja 6:

Keni emërur Qëndresa Durakun në pozitën e zyrtares për Marrëdhënie me Publikun në bazë të udhëzimit administrativ Nr. 01/2018 për Caktimin e Stafit Mbështetës. Emërimi është bërë më 3 shtator të vitit 2018, kurse ky udhëzim administrativ hyn në fuqi më 1 janar 2019. Zotëri Latifi, kjo është shkelje ligjore… a nuk mendoni se keni shkelur ligjin?

Pyetja 7:

Në fushatën e fundit keni qenë i akuzuar për korrupsion në mandatin e kaluar për shtrim të kubëzave. Cila është sqarimi juaj për këtë skandal, ndër më të mëdhenjt në vitet e fundit?

Pyetja 8:

Keni premtuar themelimin e teatrit të qytetit “Avdullah Bugari”, kurse ende nuk është funksionalizuar. A do të mbetet edhe ky një premtim i parealizuar në sirtarin tuaj?

Pyetja 9:

I keni premtuar familjes së Selajdin Mullabazi – Micit gravirimin e emrit të heroit të kombit në varrin e tij në varrezat e dëshmorëve. Pse nuk e keni bërë ende këtë?

Pyetja 10:

A është e vërtetë se keni larguar një punonjës që kishte kontratë tre vjet nga emergjenca vetëm pse nuk ju votoi në zgjedhjet e fundit dhe ju nuk ja vazhduat kontratën për këtë arsye?

Pyetja 11:

Keni premtuar shumë ndryshime dhe investime në shëndetësi. Emergjenca shumë e diskutuar në debate ka mbetur vetëm në ato studio televizive. Ndërkaq, edhe premtimet për “karrige” të reja të Stomatologëve po prisni ndihmën e Caritasit për të përmbushur.

Pyetja 12:

Keni larguar pa asnjë sqarim nga detyra ish-drejtorin për Kulturë Rini dhe Sport, Ervin Hoxha. Emëruat po ashtu pa shumë sqarime për qytetarët Bjondina Kleçkën në këtë pozitë. Pse larguat nga detyra zotëri Hoxhën? Ai ishte një prej njerëzve tuaj më besnik dhe kryetar i forumit rinor të AAK-së. Ai ishte po ashtu një prej njerëzve tuaj më të afërt dhe shtyllave të subjektit tuaj në zgjedhjet e fundit. A është e vërtetë se ai keqpërdori pozitën zyrtare dhe nëse po, pse nuk keni qenë transparent në raport me qytetarët? Si është e mundur që një prej njerëzve kryesorë të subjektit fitues të shkarkohet pa asnjë sqarim dhe a nuk mendoni se subjekti duhet të mbajë përgjegjës për emërimet e drejtorëve? Pikërisht drejtorët e subjektit tuaj janë të përfshirë në këto oscilime dhe ndryshime të papritura dhe jo tansparente para qytetarëve.

Pyetja 13:

Klubit të futbollit i është zvogëluar përkrahja financiare, ndërsa jeni zotuar se do të shtyni përpara procesin për rikthim në Ligën e Parë. A nuk mendoni se është ky një paradoks? Dhe, pse nuk keni bërë ashtu siç premtuat, një strategji për fuqizimin e sportit në komunën e Rahovecit duke i shndërruar klubet në shoqëri aksionare.

Pyetja 14:

Rrugët e Rahovecit janë në gjendjen më të keqe në dekadën e fundit. Pse nuk po ndodh intervenimi në sanimin e rrugëve të qytetit dhe gjithë komunës së Rahovecit. Ngasësit janë ankuar për këtë.

Pyetja 15:

Pasi që drejtorin për Urbanizëm e keni jo adekuat për pozitën ku është caktuar, po ju pyesim juve – çka po ndodh me premtimin për krijim të hapësira për parking?

Pyetja 16:

Shumë qytetarë kanë pësuar keq nga mungesa e hapësirës për ecje në disa rrugë të caktuara. Kryesisht kanë pësuar nxënësit. A prisni që të ketë viktima para se të intervenonimi në krijim të trotuareve dhe rrugëve njëkahëshe?

Pyetja 17:

Çka keni bërë për festivalin e vjeljes së rrushit. Keni premtuar ndërkombëtarizimin e festivalit, ende nuk është bërë asnjë hap në këtë drejtim .

Pyetja 18:

Keni premtuar ndërtimin e katër çerdheve të reja. Ndërsa, përveç se nuk keni filluar ndërtimin e tyre, keni dalë duke proklamuar si sukses fillimin e ndërtimit të çerdhes e menduar nga mandati i kaluar. Përveç se nuk është realizim i premtimit, a nuk është hipokrizi krenimi me projektet e ish-kreytarit që e keni akuzuar shumë nëpër debate televizive?

Pyetja 19:

Keni premtuar rritje të punësimit për 7%. Është e qartë që keni rritur numrin e militantëve të punësuar. Por, sa është rritur punësimi në vitin e parë të qeverisjes tuaj pasi që shihet se rritje të papunësisë dhe jo të punësimit siç keni premtuar.

Pyetja 20:

Dhe për fund, premtimi për 1 milion euro në bujqësi. Keni bashkëfinancuar mbjelljen e serrave. Por, kjo nuk mjafton. A mendoni se keni bërë një premtim të parrealizueshëm investimin e 1 milion eurove në bujqësi, edhe pse këtë thoni se e ka paraparë KAB-i për vitin 2019?

/Rahoveci24/

Të gjitha pyetjet do të bëhen edhe lajme në veçanti me fakte dhe argumente.

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.