Kryetar vazhdo sulmoje “webfaqen”, por përfundoje palestrën

Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, është zgjuar nga gjumi.

I mësuar me mungesë të opozitës dhe me qetësi të shoqërisë civile (lexo: politike), kryetari Latifi ka gjetur kohën që javën ta nisë mbarë – duke sulmuar atë që ai quan “webfaqe”, portalin më të madh në Anadrini, Rahoveci24.

Kryetari Smajl Latifi në sulmin e tij spektakolar shihet se është i etur për përballje me opozitën, por duke mos pasur opozitë të mirëfilltë, ai këtë e bëri me yryshin e rallës ndaj njërit prej dy portaleve informative të komunës.

Në këtë sulm, ai kërcënon mediumin dhe shfaqet si cënues monstruoz i fjalës së lirë.

Rahoveci24 nuk e ka problem këtë punë.

Kryetar, mund ta sulmosh “webfaqen”. Mund ta cënosh fjalën e lirë. Mund të na kërcënoni. Kjo është normale për subjektin që ju përfaqësoni. Edhe padinë mund ta bëni..

Por, edhe palestrën bëje.

Kryetari Latifi në reagimin e tij shfaq impulsin e tij të zakonshëm sa herë zihet ngushtë. E keni vërejtur edhe në debatet televizive si shpërthen dhe nuk kontrollon fjalët e tij sa herë që ai nuk ka argument për një temë të caktuar.

Kryetari Latifi është nën presion, sepse mjetet ende nuk janë derdhur për kryerjen e palestrës. Sepse palestra ishte në plan të përurohej më 28 nëntor, por edhe një herë dështoi.

Duhet të vlerësohet guximi i tij që ndërmori një veprim të tillë, për të guxuar kryerjen e palestrës që tash e 10 vjet është e pa përfunduar, palestër për të cilën shumë ka luftuar portali, këtë e dinë edhe këshilltarët që e kanë shkruar sulmin tuaj spektakolar.

Pyesni ata për “webfaqen” dhe kontributin në shumë kauza, përfshirë palestrën, ndër vite të tëra, ndër shumë qeverisje e kryetarë që ka pasur kjo komunë. Pa asnjë përkrahje institucionale. S’kemi nevojë për këtë.

Ju do të shkoni kryetar, do të vijë dikush tjetër. Portali do të mbetet.

Janë ndërruar shumë parti nga pushtetet e kaluara. Të gjitha kanë thënë se jemi portal shpifës dhe jemi të paguar,e bëjmë fushata. Edhe kryetari para jush e bëri këtë. Edhe partitë tjera para jush e bënë këtë.

Ju të gjithë do të shkoni, e do të zëvëndësoheni, por portali dhe qytetarët që ja duan të mirën këtij vendi do të jenë gjithmonë këtu. Edhe do të varrosen këtu, këtë mund t’ua shpjegoni bashkë me këshilltarët (pronarë të mediave) edhe militantëve tuaj që i nxisni.

Ju të gjithë do të shkoni e do të zëvëndësoheni, por Rahoveci24 do të mbetet.

Edhe ata do të thonë se jemi të paguar, bëjmë fushata e shpifje.

Por, kjo nuk ka rëndësi. Shfrytëzojeni si argument.

Ama, palestrën përfundojeni. Dhe, premtimet tjera që i keni bërë gjatë fushatës.

Ne jemi portali i paguar që shpif dhe që bën fushata. Gjithmonë do të jemi të tillë për ju, dhe gjithmonë do të vazhdojmë të bëjmë opozitën. Të vetëm. Pa PDK-në. Pa LDK-në. Pa VV-në. Të gjithë jeni të njëjtë.

Gëzuar 28 Nëntorin kryetar Latifi, shpresojmë që ta festojmë nëntorin e ardhshëm në palestrën tonë që e ëndërrojmë me ndonjë koncert – nga se ky 28 nëntor ngjason si ditë zie depresive pa asnjë aktivitet domethënës për rininë.

E kështu duket se do të jetë viti i ri.

/Rahoveci24/

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.