Krasniqi: Albin Kurti, i pari që duhet të hiqet nga lista si veteran i rrejshëm

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se kryeministri Albin Kurti është i pari që duhet të hiqet nga lista e veteranëve si veteran i rrejshëm.

Krasniqi në një konferencë për media të martën, është shprehur se lista e veteranëve duhet të pastrohet, por se këtë shembull duhet ta japë i pari kryeministri i vendit.

“Veteranët duhet të jenë të përfshirë në pagën minimale ashtu siç ka qenë në fillim. Të gjithë ne kemi thënë se ka probleme me listat e veteranëve dhe ato lista duhet të pastrohen dhe kushdo që s[ka qenë veteran e që është pjesë e saj duhet të hiqet ajo, por i pari qe duhet të hiqet si veteran i rrejshëm është Albin Kurti, sepse është kryeministër i Kosovës e s’mundet me qenë veteran një njeri i cili asnjëherë nuk e ka veshur në asnjë minutë uniformën e UÇK-së dhe ai duhet të japë shembull persona, i pari të largohet, të thotë unë nuk jam veteran. Mund të jetë në ndonjë kategori tjetër, sepse ka qenë i angazhuar në zyrën e Adem Demaçit por jo ta quajë vetën veteran luftëtar. Ai më shumë se një vit qeveri, asnjë hap se ka ndërmarrë për këtë çështje”, është shprehur Krasniqi.

Kurti ka marrë statusin e veteranit si i angazhuar në Zyrën e UÇK-së në Prishtinë, që udhëhiqej nga Adem Demaçi. Më pas, Kurti ishte arrestuar nga forcat serbe dhe ishte liruar pas luftës.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar të martën se lista e veteranëve duhet të pastrohet, pasi janë 80 milionë euro në vit që paguhen për pensionet e tyre.

Deklarata e tij ka ardhur pas kundërshtimit të veteranëve për miratimin e Projektligjit për ndryshimin e ligjit për pagën minimale, përmes të cilit rritet paga minimale në Kosovë në 264 euro, por jo edhe pensioni i veteranëve.

Projektligjin po e kundërshtojnë pasi ata janë lënë jashtë këtij ndryshimi. Të hënën veteranët kanë zhvilluar edhe protesta para ndërtesës së Kuvendit në kohën kur duhej të hidhej në votim Projektligji, të cilat kanë eskaluar, e si pasojë e të cilave kanë mbetur të lënduar dy policë dhe një qytetar.

Megjithatë projektligji nuk arriti u miratua për shkak të mungesës së kuorumit.

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.