Japonia, donacion për QKMF-në “Fahredin Hoti”

Qendrën Komunale të Mjekësisë Familjare “Fahredin Hoti” në qytetin e Rahovecit, të enjten e ka vizituar Mitsunori Ogasawara, sekretar i Ambasadës së Japonisë për Kosovë dhe Austri.Qëllimi i vizitës së sekretarit Ogasawara ishte përfundimi i projektit për furnizimin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare me një ambulancë dhe me pajisje të tjera mjekësore.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi, fillimisht e ka falënderuar sekretarin Ogasawara për donacionin e dhënë për Komunën e Rahovecit. Kryetari Vehapi ka thënë po ashtu se sektori i shëndetësisë është i rëndësishëm dhe që duhet të ketë gjithmonë prioritete.

“Ndihmat si kjo na ndihmojnë shumë për lehtësimin e shërbimeve dhe presim donacione edhe në të ardhmen nga Ambasada e Japonisë”, ka thënë ai. Ndërsa Ogasawara ka thënë se për të ishte kënaqësi e madhe që po e vizitonte qytetin e Rahovecit, me rastin e përfundimit të projektit për furnizimin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare me një ambulancë dhe me pajisje mjekësore. Sekretari Ogasawara është shprehur se ky projekt i ka përmirësuar seriozisht shërbimet shëndetësorë për qytetarët e Kosovës, është rritur kapaciteti i kësaj qendre mjekësore, e cila është më e rëndësishmja në këtë komunë.

“Ky projekt është financuar nga Qeveria e Japonisë nëpërmjet grantit të projekteve për asistencë bazike dhe siguri njerëzore”, ka bërë me dije Ogasawara. Sekretarin e Japonisë, për bashkëpunimin dhe donacionin e dhënë e kanë falënderuar edhe drejtori i DSHM-së, Munib Durguti dhe u.d. Jusuf Koronica, të cilët kanë kërkuar që bashkëpunimi me Ambasadën e Japonisë të vazhdojë edhe më tutje.

Vlera e përgjithshme e pajisjeve medicinale kap shifrën e 61 161 eurove. Pajisjet mjekësore të marra donacion janë: një autoambulancë, një karrige stomatologjike, dy aparate për analizë të gjakut (Hemogrami dhe aparati për analizë Biokimike).

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.