Portali më i fuqishëm lokal, Rahoveci24, ka realizuar një intervistë me njeriun më meritor prapa dy fitoreve të mëdha të klubit në start të sezonit të ri në Superligë.
KB Rahoveci u organizua me “qykë të zorrit” në mesin e shumë problemeve falë angazhimit të shumë individëve dashamirë të Rahovecit.
Klubi nga qyteti ka realizuar dy fitore të mëdha në start të sezonit, përfshirë një fitore të madhe në udhëtim te Ylli dhe vet trajneri shprehet i entuziazmuar.
Ai tregon se skuadra është e përgatitur para duelit ndaj Bashkimit, që llogaritet ekipi i dytë më i mirë këtë sezon në Superligë.
“Atmosfera në ekip është shumë e mirë. Lojtarët nga SHBA janë ambientuar mirë në Rahovec dhe janë të kënaqur me kushtet që i ka siguruar kryesia e klubit. Ekipi ka një gërshetim mes përvojës dhe rinisë. Bartësit e lojës janë ata që angazhohen maksimalisht në stërvitje dhe në lojë, pa marrë parasysh nëse janë të rinj apo me përvojë shumëvjeçare. Natyrisht Merovci dhe Hasani janë emra të njohur të basketbollit tonë dhe loja jonë bazohet në përvojën dhe përgaditjen e tyre. Berisha është lojtar tjetër me përvojë i cili na është bashkangjitur me dy javë vonesë por mendoj se është lojtar shumë i nevojshëm për ekipin. Të rinjët Bunjaku, Gashi dhe Avdija me energjinë e tyre dhe vullnetin për të arritur rezultat janë në rrugë të drejtë që të afirmohen si lojtarë të Superligës. Berati, Blerimi dhe një pesëshe e juniorëve të KB Rahoveci janë lojtarët tanë të qytetit, të cilët japin maksimumin e tyre në çdo stërvitje dhe lojë për të kontribuar sinqerisht për klubin”.
“Pritjet para fillimit të sezonit për dy ndeshjet e para ishin të ndara: për ndeshjen e parë ishim favorit duke pasur parasysh se Borea është klub i ri në Superligë dhe përbëhet nga lojtarët vendor pejan të cilët nuk kanë arritur të konkurojnë për ekipin e parë të KB Peja, kurse për ndeshjen e dytë kam pritur një lojë të vështirë pikësëpari pasi Ylli është një klub me përvojë në Superligë, ka sponzor stabil dhe organizim ndër më të mirët në ligë, si dhe kanë tifozërinë që e mbush palestrën çdoherë”.
“Bartësit e lojës: natyrisht janë lojtarët më me përvojë që do të bartin lojën gjatë sezonit, por kemi edhe lojtarë të rinj të cilët janë të përgaditur që të kontribuojnë në çdo moment. Sezoni është i gjatë dhe loja jonë bazohet në ekipin, kjo na mundëson që në çdo lojë disa lojtarë të dalin si bartës loje dhe në ndeshjet tjera mund të dalin në pah lojtarë tjerë”
“Natyrisht se kemi filluar të mendojmë për pllejof pasi që Peja dhe Trepça startuan me probleme të mëdha. Kur dy skuadra nga katërshi i madh kanë probleme, kjo i hap rrugë ekipeve tjera në ligë”.
“Ndeshja e parë si vendas, e cila luhet në Gjakovë pasi që jemi të hendikepuar për shkak të mospërfundimit të palestrës në Rahovec, do të jetë një sfidë për ekipin tonë pasi që përballë kemi Bashkimin – një klub me traditë. Sa i përket rezultatit të ndeshjes, nuk dua të merrem me prognozim. Ambiciet tona janë që të paraqitemi sa më mirë, të kënaqim publikun rahovecian me lojë dhe angazhim. Fitues le të jetë ekipi më i mirë në parket!”, deklaroi Rodiqi për Rahoveci4.