Haradinaj-VV-së: Autostrada e Dukagjinit do të ndërtohet sapo të ikni ju nga pushteti

Ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, njoftoi se nuk do të ndërtohet autostrada e Dukagjinit, e ndaj këtij vendimi ka reaguar ish-Kryeministri Ramush Haradinaj.

Haradinaj ka shkruar sot se kur kishte iniciuar projektin për autostradën e Dukagjinit, Lëvizja Vetëvendosje ka nisur fushatë kundër tij. Ai thotë se tani në pushtet, kjo parti i ka bllokuar projektet ekzistuese e nuk ka nisur projekte të reja infrastrukturore.

640x74

“Sot kanë mbetur keq e për faqe të zezë, jo vetëm rruga për Mitrovicë, për Gjilan, për Pejë, për Gjakovë, por edhe projektet tjera infrastrukturore, duke i zbritur investimet kapitale në kuota qesharake”, ka shkruar Haradinaj.

Postimi i plotë i ish-Kryeministrit:

Autostrada e Dukagjinit do të ndërtohet, sapo të ikni ju nga pushteti

Kur ishte vendosur të merrte udhë projekti i autostradës së Dukagjinit si një investim strategjik, meqenëse do ta lidhte pothuaj një të tretën e territorit të Kosovës me pjesën tjetër, pati filluar një fushatë e egër e Vetëvendosjes kundër meje, me arsyetimin se nuk duhej të shpenzoheshin paratë në asfalt.

Autostrada e Dukagjinit nuk u ndërtua sepse Qeveria që udhëhiqja unë ishte ndërprerë në mes, kurse qeveria e Vetëvendosjes, jo vetëm që nuk hapi projekte të reja infrastrukturore, por i bllokoi edhe ato ekzistuese.

Sot kanë mbetur keq e për faqe të zezë, jo vetëm rruga për Mitrovicë, për Gjilan, për Pejë, për Gjakovë, por edhe projektet tjera infrastrukturore, duke i zbritur investimet kapitale në kuota qesharake.

Sikur kjo të bëhej me qëllim të rritjes së mirëqenies së popullit, në këto dy vjet të një krize globale ekonomike, edhe do ta kishte një derë, por për fat të keq nuk ka ndodhur as kjo.

Sot, Kosova e ka mesataren e pagave më të ulët në rajon, pensionet më të ulta, paga minimale më e ulta në kontinent, ndërkohë që tatimi në pronë është rritur dy e trefish, energjia është rritur të paktën dy herë e të mos flasim për rritjen e çmimeve të artikujve elementarë, apo të inflacionit i cili ka qenë më i larti në këto 20 vjet.

Sikur të mos u mjaftonte kjo, qeveritarët e rinj u janë turrur edhe mjeteve vetanake të komunave dhe dojnë me i marrë edhe ato! Ose kanë fytyrë e deklarojnë se do të ketë harrnime e zgjerime dhe prapë lidhen të Autostrada e Dukagjinit dhe thojnë se ajo nuk do të ndërtohet.

E unë e kam një porosi për ta. Po, autostrada e Dukagjinit do të ndërtohet, sapo ju të ikni nga pushteti. Shpresoj shumë shpejt!

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.