Gjykata aprovon kërkesëpadinë e paditësit, anulon konkursin për drejtor të shkollave “Rilindja” dhe “Nesimi Elshani”

Gjykata Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, e ka aprovuar kërkesëpadinë e paditësit Gëzim Sahitaj, duke e anuluar konkursin për pozitën drejtor i shkollës SHFMU “Rilindja” në Çifllak dhe drejtor i SHFMU “Nesimi Elshani”, në Nagavc të Rahovecit, me arsyetimin se nuk i ka plotësuar kushtet për përzgjedhje.

Në këtë rast, paditësi Gëzim Sahitaj, përmes padisë ka kërkuar anulimin e konkursit për pozitën drejtor i SHFMU “Rilindja” në Çifllak dhe SHFMU “Nesimi Elshani” në Nagavc, të shpallur nga Drejtoria e Arsimit në Rahovec, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimi i siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, rezulton të jetë shpallur më 8 mars 2022, me të cilin gjykata ka aprovuar kërkesëpadinë e paditësit Sahitaj.

“Anulohen vendimet e Komisionit sipas konkursit me numër 04/625 të datës 12 janar 2021 të Drejtorisë Komunale të Arsimit në Rahovec, sa i përket SHFMU “Rilindja” në Çifllak, Komuna e Rahovecit, dhe atë Vendimi 288/2021 i datës 08 prill 2021, i Kryetarit të Komunës dhe rekomandimi i komisionit për zgjedhjen e drejtorit/eshës të institucionit edukativo – arsimor dhe aftësues dhe Vendimi numër 1686 të datës 28 prill 2021, të komisionit për shqyrtimin e ankesave për nënpunësit e shërbimit publik të komunës së Rahovecit, kontrata e punës e nënshkruar nga Kryetari i Komunës me kanditatin e zgjedhur për drejtor shkolle në SHFMU “Rilindja” në Çifllak, Komuna e Rahovecit”, thuhet në vendim.

Po ashtu, gjykata me këtë aktgjykim ka anuluar vendimin e Kuvendit Komunal të Rahovecit, të 26 shkurtit 2021, sa i përket SHFMU “Rilindja” në Çifllak, Komuna e Rahovecit, me të cilin është caktuar komisioni për përzgjedhjen e drejtorit/eshës dhe zëvendësdrejtorit/eshës së institucioneve edukativo – arsimore dhe aftësuese parauniversitare IEAAP.

Komuna e Rahovecit gjithashtu obligohet t’i paguajë shpenzimet e procedurës, në shumën prej 545 euro e 50 centë.

Gjykata thuhet se si fakt relevant në këtë çështje mori për bazë se komisioni respektivisht dëshmitari Lulzim Krasniqi, i cili ka qenë anëtar i komisionit rekrutues, në dëshminë e tij e ka pranuar se nuk e kanë përpiluar formularin B/1 në për kandidatin Gëzim Sahitaj në fazën e parë të rekrutimit, dhe nuk kanë mbajtur asnjë lloj procesverbali dhe se janë arsyetuar se procesverbale kanë përpiluar vetëm për kandidatët që i kanë përmbushur kushtet.

Tutje thuhet se programi i Masterit, të cilin paditësi e ka dorëzuar në aplikacion, është program i cili i përmbush kriteret e nenit 5, pika 1.2.1 të Udhëzimit Administrativ 151/2020, i cili fillimisht kërkon që kandidati të ketë titullin Master për udhëheqje, administrim ose menaxhim në arsim, ndërsa paditësi posedon diplomën Master nga menaxhimi sektorial, me specializim menaxhimi i sektorit të arsimit, ku edhe i posedon 300 ECTS kredi dhe 5 vite shkollim.

Po ashtu,  thuhet se diploma e programit të kandidatit është e akredituar me vendim të Agjencisë së Kosovës për Akreditim me numër të protokollit 549/14, të 4 korrikut 2014 për Kolegjin AAB. Me këtë, nënkuptohet se ky program është akredituar sipas kërkesave që dalin nga Udhëzimi Administrativ 02/2013, i 16 janarit 2013.

Në aktgjykim gjithashtu thuhet se gjykata po ashtu mendon që vendimi i Kuvendit të Komunës, i 26 shkurtit 2021 nuk është i drejtë për përzgjedhjen e drejtorëve të shkollave, në paragrafin e pestë (5) të dispozitivit parasheh që “Pas miratimit nga ana e Kuvendit të Komunës së Rahovecit, ky vendim hyn në fuqi 15 ditë pas dërgimit në autoritetin mbikëqyrës MAPL dhe 7 ditë pas shpalljes publike në tabelën e shpalljeve ose Web – faqen zyrtare të Komunës”.

Tutje thuhet se vendimi është miratuar më 26 shkurt 2021, ndërsa në bazë të shkresës së udhëheqësit të zyrës për punë të Kuvendit të Komunës së Rahovecit, Skender Hamza, të 27 shtatorit 2021, por edhe në bazë të e-mailit të bashkëngjitur nga po i njëjti, vërtetohet se Komuna e Rahovecit, njoftimin e tyre në MAPL e kanë dërguar më 2 mars 2021, ku 15 ditë pas kësaj date i bie të jetë 17 mars 2021.

Në aktgjykim thuhet se në bazë të provës së fotografuar në ueb-faqen e Komunës, vërtetohet se ky vendim në ueb-faqen e Komunës është publikuar më 17 mars 2021, ku afati prej 7 ditësh prej publikimit të tij kalon më 24 mars 2021.Të ngjajshme

Në anën tjetër, sipas aktgjykimit Drejtori i DKA-së në konkursin me numër 625, të 12 janarit 2021, është vet ai që e ka nënshkruar dhe shpallur këtë konkurs, po ashtu është vet ai që e ka nënshkruar njoftimin me numër 04/687 të 22 marsit 2021, dokument me të cilin vërtetohet se është kryer faza e parë e rekrutimit.

Gjithashtu, thuhet se vet drejtori i DKA-së si dëshmitar ka pranuar se është nënshkrues i këtyre dy dokumenteve përkundër faktit që drejtori i DKA-së nuk ka të drejtë të jetë pjesë e komisionit rekrutues dhe për atë legjislacionit pozitiv parasheh që detyra e drejtorit përfundon me propozimin e anëtarëve të komisionit dhe shpalljen e konkursit.

Sipas aktgjykimit, gjykata ka vlerësuar edhe provat tjera materiale të cilat janë administruar në shqyrtimin kryesor, mirëpo vlerësoi se të njëjtat nuk janë relevante dhe janë pa ndikim në vendosjen meritore të kësaj çështje juridike.

Ndryshe, më 23 shkurt 2022, ishte mbajtur shqyrtimi kryesor për këtë rast, ndërsa fjala përfundimtare është dorëzuar me shkrim.

Ndërsa, në padinë e ushtruar më 6 maj 2021, paditësi Gëzim Sahitaj, kishte kërkuar nga Gjykata Themelore në Gjakovë dega në Rahovec, anulimin e konkursit për pozitën drejtor i SHFMU “Rilindja” në Çifllak dhe SHFMU “ Nesimi Elshani” në Nagavc”  të shpallur nga Drejtoria e Arsimit në Rahovec

Sipas padisë, paditësi kishte aplikuar në konkursin e shpallur nga DKA-ja në Rahovec, pasi që i kishte plotësuar kushtet e konkursit.

Por, sipas pretendimeve në padi, në njoftimin të cilin e ka publikuar Avni Morina, drejtor i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Rahovec, në numër të referencës 04/687, të 22 marsit 2021, të cilin e ka titulluar “Njoftimi për intervistim”, është informuar se emri i paditësit nuk është në listë.

Tutje në padi thuhet se drejtori i DKA- së në Rahovec nuk ka qenë pjesë e panelit intervistues, por i njëjti ka publikuar këtë njoftim si dokument zyrtar e që do të duhej ta bënte Komisioni për zgjedhjen e drejtorit/eshës së institucionit edukativo – arsimor dhe aftësues.

Pas kësaj, paditësi si kandidat për drejtor të shkollës ka parashtruar ankesë më 24 prill 2021, por përkundër kësaj, procedura për përzgjedhjen e drejtorit ka vazhduar pa ndërprerë.

Paditësi pretendon se Komuna e Rahovecit gjatë këtij konkursi ka bërë shkelje të shumta si të natyrës procedurale ashtu edhe të natyrës materiale si: a) eliminimin e përkohshëm dhe të kundërligjshëm të paditësit nga gara për drejtor të shkollës edhe pse i ka plotësuar të gjitha kushtet ligjore, b) ka emëruar anëtarë të komisionit të cilët nuk i plotësojnë kushtet ligjore dhe nënligjore nga sektori i arsimit për të qenë pjesë e konkursit, c) më pas në kohën kur kanë formuar komisionin për emërimin e drejtorëve nuk kishin komision për ankesa gjë që e kanë themeluar gjatë vazhdimit të konkursit, d) gjithashtu, përkundër ankesës së paditësit, Komuna e Rahovecit nuk e ka ndaluar konkursin, por ka vazhduar me procedurat e saj në mënyrë të kundërligjshme.

Në padi thuhet se për kundër ankesës së ushtruar, organi përzgjedhës ka vazhduar me procedurat e rekrutimit duke mos u zgjidhur paraprakisht çështja diskutabile e parashtruar me ankesë . Në kuptim të dispozitave ligjore në fuqi, por edhe parimet kushtetuese ankesa ka dy karaktere, ka karakter devolutiv në njërën anë, ndërsa në anën tjetër ka karakter suspenziv.

Tutje thuhet se karakteri devolutiv i ankesës nënkupton që kjo çështje nuk është më kompetencë e organit rekrutues, por çështja në fjalë i kalon një organi tjetër më të lartë e në këtë rast ashtu siç është e paraparë në nenin 14 të Udhëzimit Administrativ 151/2020 , pra Komisionit për Ankesa në kuadër të komunës së Rahovecit, ndërsa karakteri suspenziv i ankesës nënkupton që procedura nuk guxon të vazhdojë më tutje pa u zgjidhur çështja e ankesës, pra procedura është dashur të pezullohet dhe të zgjidhet ankesa. Përkundër këtyre karaktereve të ankesës, organi në fjalë nuk e ka ndalur procedurën dhe ka vazhduar me rekrutimin e kandidatëve edhe pse kemi çështje të pazgjidhura.

Andaj, duke pretenduar se e gjithë procedura e konkursit është përcjellë me shkelje procedurale, paditësi ka paraqitur këtë padi duke kërkuar anulimin e këtij konkursi. /BetimipërDrejtësi

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.