KB Rahoveci mund të ketë humbur me rezultat 60-76 nga Trepça, por për klubin, qytetin, tifozët dhe qytetarët, ishte një fitore e madhe kjo – një fitore e madhe e përbashkët në një spektakël të madh.
Si asnjëherë me herët, rreth tre mijë shikues udhëtuan nga Rahoveci për të shikuar ndeshjen. Katër autobusë ishin të plotë, plus pa fund vetura private, njerëz që shpenzuan të hollat e fundit në ditën e fundit të muajit, më 31 janar, në një mot shumë të ftohtë.
E gjithë kjo, vetëm për tëshikuar KB Rahovecin në një ndeshje basketbollistike ndaj një klubi që ka 30 vjet traditë në basketboll dhe në tifozeri, një klub që me të hyrë në parket nga sekonda e parë u befasua nga atmosfera e krijuar. As trajneri i tyre nuk e priti, e madje as gjyqtarët nuk e pritën një atmosferë të tillë.
Tifozët “Vreshtarët” të unifikuar si asnjëherë më parë dhanë shembullin e një tifozerie sportive moderne evropiane, duke përkrahur ekipin deri në minutin dhe atomin e fundit, duke mos shikuar fare rezultatin dhe kjo ishte një tjetër fitore e madhe për Rahovecin. Ata shpalosën edhe një baner në kujtim të Elvis Pistës duke kërkuar zbardhjen e vrasjes misterioze të tij. Edhe ai kontribuoi për këtë ditë sikur të gjithë ne, dhe edhe ai sigurisht do ishte i lumtur me të gjithë ne dhe krenar me vendin e tij.
Organizimi madhështor i klubit kulmoi në një ndeshje spektakolare e cila do të mbahet mend gjatë për nivelin, për numrin e njerëzve, atmosferën, por jo edhe për rezultatin – e ky i fundit ishte më i pa rëndësishmi, në një të marte, data 31 e muajit janar.
Paramendoni sikur të ishte fundjavë?
I kthehemi lojës nga aspekti teknik dhe taktik.
Në këtë duel në aspektin teknik dhe takik nuk shkuan shumë gjëra. U vërejt se sa inepte ishte lëvizshmëria e topit dhe pasimet, aq sa ishte e vështirë të shënohej. Trajneri i Trepçës na mashtroi të gjithë kur ndaj Yllit humbi lojën me qëllim, duke mos u brengosur fare, teksa ndaj Rahovecit nuk u ndal duke e goditur parketin. Mashtroi lojtarët, mashtroi neve si media dhe mashtroi vet trajnerin – të gjithë shkuam të dielën për ta shikuar Trepçën se si do t’ia falte lojën Yllit, pasi ajo nuk ishte Trepça e vërtet. Trepça e cila inskenoi lëndimin e Harrison Kiel Turpin, qendrës gjigante që ishte fundamental në fitoren ndaj Rahovecit. Të gjithë u mashtruam, sepse për Trepçën dueli ishte ose krejt, ose hiç dhe kishte dy javë që po përgatitej për këtë ndeshje pasi FinalFouri ishte caktuar në Mitrovicë dhe pa Trepçën s’do të përmbushej plani i federatës.
Dhe, kurrë as në ëndrrat e tyre mitrovicasit nuk kanë pritur një publik kaq të madh e të zjarrtë nga Rahoveci, një qytet që nuk ka as palestër. Befasi e madhe për të gjithë.
Çereku i parë ishte perfekt për KB Rahovecin. Në këtë periudhë i gjithë publiku u ekzaltua, një çerek që Trepça e fitoi me vetëm tri pikë epërsi, dhe ku i gjithë ekipi luajti për njëri tjetrin. Në këtë periudhë i pandalshëm ishte Besnik Sharku me 6 pikë radhazi dhe 5 topa. U duk se djaloshi rahovecian ishte i vetëm autoritativ, bosi në zonën e Trepçës. Besniku bëri gjithçka deri në fund, por bashklojtarët nuk i kishte në element. Ai realizoi double double prej 10 pikëve e 10 kërcimeve dhe dy asistimeve, por kjo nuk ishte e mjaftueshme që të realizonte fitoren më të madhe në histori.
Në çerekun e dytë megjithatë ndryshuan gjërat, ku në sulm filluan problemet pasi mbrojtja e fortë e Trepçës me presing zonal ndaj lojtarëve bëri që të vonoheshin pasimet dhe lëvizjet të jenë të vonshme, e gjithçka të lexohej nga kundërshtari dhe topat të humben e të pranoheshin shumë pikë në kundërsulm.
E njëjta histori vazhdoi edhe në çerekun e tretë, ku disa lojtarë ishin jashtë elementit të tyre, në një ditë që do të duhej të ishte kyçe dhe ku u prit që ata të shkëlqejnë. Por, jo gjithmonë shkon, jo gjithmonë mund të fitojmë.
Momenti kyç u regjistrua në çerekun e tertë, ku pas shumë vendimeve skandaloze të gjyqtarit, në momentin kur ekipi mundi të ngushtonte në 10 pikë në 30 sekondat e fundit të kësaj periudhe për të tentuar rikthimin në çerekun e katërt, në skenë u shfaq Xhelal Mumini me një faul inekzistent për Montreal Scott. Secili depërtim nga ky i fundit ishte faul, por secila goditjen në duart e djemve tanë kur ata ishin në sulm ishte e parëndësishme. Në këtë moment Trepça mbajti epërsinë 15 pikëshe dhe aty ndeshja ishte e përfunduar.
Të gjithë e kemi pritur që gjyqtarët të jenë në anën e Trepçës pasi diheshin precedentet e Xhelal Muminit në të kaluarën, por shenjë nuk i la as Fisnik Ramadani, i cili ndërroi qasjen ndaj KB Rahovecit pikërisht në këtë duel. Që të dy këta gjyqtarë të dërguar nga Federata zbatuan me përpikmëri urdhërat dhe nuk lejuan të ndodhte një befasi.
Në fund u regjistrua humbja, e cila në fakt ishte një fitore për Rahovecin. Kush e kishte menduar pas 17 vitesh të përfundimit të luftës se do të mund të jemi në mesin e klubeve elitare të ndonjë sporti, në këtë rast të basketbollit? Kush e kishte menduar se do të mblidheshim kaq shumë njerëz kaq shumë tifozë për të rivalizuar një klub që ka 30 vjet traditë në basketboll, është nga klubet më të trofeshme? Kush e kishte menduar se do të krijonim ekip që trajneri kundërshtar të pushonte lojtarët për neve, e të humbiste ndeshjen ndaj Yllit me qëllim vetëm për t’u përgatitur me neve? Kush e kishte menduar se edhe gjyqtarët do të ishin kundër Rahovecit, 17 vjet pas përfundimit të luftës, kur për më shumë se një dekadë basketbolli ishte i vdekur?
Kjo, definitivisht ishte ndër fitoret më të mëdha të Rahovecit që nga pas lufta, dhe të gjithë ju, ishit pjesëmarrës në të.
/Rahoveci24/