Editorial – Propozim për largimin e rrezikut në rrugën “Gëzim Hamza” (Foto)

Rruga “Gëzim Hamza” në Rahovec që lidhë qendrën sportive me shkollën e mesme “Xhelal Hajda – Toni” është një prej rrugëve më dobët të rregulluara dhe më të rrezikshme për këmbësorët.

Rruga “Gëzim Hamza” shpeshherë ka qenë debat për shkak të aksidenteve që kanë ndodhur si pasojë e rrugës së ngushtë dhe shpeshtimit të komunikacionit.

Me rastin e fillimit të vitit shkollor, është rritur edhe fluksi i qarkullimit në këtë rrugë, çka ka rritur edhe rrezikun për këmbësorët, që janë kryesisht fëmijë dhe adoleshentë, disa vijues të shkollës së mesme, e disa të fillores (nxënësit e shkollës Isa Boletini po shfrytëzojnë objektin e ri të gjimnazit derisa të përfundojnë punimet në shkollën e tyre të re).
image
Deri tash ka pasur vetëm kritika për këtë rrugë, por Rahoveci24 është marrë me këtë problem dhe e ka studiuar atë për një javë.

Zgjidhja në rrugën “Gëzim Hamza” është e qartë dhe konkrete, andaj Rahoveci24 i bën propozim drejtorisë për Urbanizëm për këtë rrugë në disa pika:

1. Të bëhet menjëherë rrugë një kahëshe –
Në rast se kjo rrugë do të bëhej një kahëshe, automatikisht do të përgjysmohej numri i veturave dhe rruga e ngushtë do mjaftonte që të kalonte së paku një veturë nga një kah. Në këtë mënyrë nëse jo diçka tjetër, atëherë do të krijohej pak më shumë hapësirë për këmbësorët e shumtë e nxënësit që e frekuentojnë atë rrugë.

2. Vendosja e “policëve të vdekur” në rrugë –
Pengesat në rrugë apo policët e vdekur janë të një nevoje imanente në atë rrugë. Ndonëse i përket drejtorisë së Shërbimeve Publike, drejtoria për Urbanizëm me hapin e parë do të mund të nxiste edhe vendosjen e këtyre pengesave në rrugë. Pengesat do të duhej të vendoseshin në fillim të rrugës te udhëkryqi i parë te palestra, dhe tjera të vendosen para shkollës së mesme, aty ku duhet të jetë shpejtësia në minimum pasi jo rrallë herë rrezikohen nga shpejtësia e veturave të asaj ane.

3. Të shpeshtohen patrullimet e policisë –
Të bëhet presion që sa më shpesh të gjenden patrullat e policisë në atë pjesë, që të inspirojnë uljen e shpejtësisë dhe që të filtrohet qarkullimi në këtë rrugë shumë të rëndësishme dhe të ndjeshme.

4. Të vendosen më shumë shenja komunikacioni – dhe udhëzime edhe për këmbësorët, e të paralajmërohen banorët e zonës që të mos parkokjnë veturat e tyre në skaj të rrugës, kështu do të mund të lehtësohej qarkullimi si për veturat, ashtu edhe për këmbësorët.

5. Të ndalohet qarkullimi për kamionë në atë zonë
Kështu, me largimin e kamionëve nga ajo zonë rreziku për këmbësorët do të jetë po ashtu më i vogël. Shpeshherë ndodh që kamionë të mëdhenj të kalojnë në këtë rrugë dhe ta bllokojnë qarkullimin e po ashtu të rrezikojnë këmbësorët, që në shumicën e rasteve janë të rinj e adoleshentë.

Këto janë vetëm disa prej ideve dhe hapave që prezantoi Rahoveci24 për zgjidhjen e kësaj rruge. Zgjidhja duhet të jetë e çfarëdoshme në dobi të komunitetit nga institucionet komunale, por ama të mos vonohet sa nuk është bërë vonë dhe sa nuk kemi ndonjë viktimë nga kjo rrugë. /Rahoveci24/

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.