Kryetari i degës së LDK-së në Rahovec, Avdullah Hoti, ashtu sikurse çdo të shtunë, edhe të shtunën e 18 marsit do ta rezervojë për simpatizantët e partisë që drejton në komunën të lënë më së shumti anash nga qeveria e Kosovës, qeveri ku ai është ministër i Financave.
E shtuna e 18 marsit është pak më e veçantë, pasi Hoti pritet t’u drejtohet antarëve të partisë që ai drejton në Hotel Park Plaza, në një manifestim të 27 vjetorit shumë delikat për të parin e LDK-së në Rahovec. Aty përballë është palestra e turpit, e cila ka 1 dekadë që s’u përfundua. Tash e katër vjet në duart e LDK-së, Ministrave Kujtim Shala dhe Avdullah Hoti.
Pakënaqësia e qytetarëve për mos përfundimin e palestrës po kulmon dhe pritet të shpërthejë në protesta, teksa përkundër premtimeve se do të hapen procedurat për finalizimin e saj, kjo ende nuk ka ndodhur.
KB Rahoveci ditë më parë komunikoi publikisht se do të tërhiqet nga garat në rast se nuk përfundohet palestra, jo nga gara në ligat e ulëta ku po investon kjo qeveri në futboll, por nga Superliga e Kosovës në basketboll. Me këtë rrezikohen të shuhen edhe shkollat e basketbollit ku po stërviten qindra fëmijë të cilët e kanë mundësinë ultimative për të ikur nga fenomenet negative të rrugës, për t’u marrë me sport.
Ëndrra e këtyre të rinjve po shkon duke u shuar me mos përfundimin e palestrës, e cila është pa dyshim një turp i të gjitha pushteteve, i të gjitha partive pa dallim dhe i të gjithë personave relevant të përfshirë në këtë proces.
Sidoqoftë, momentumi aktual i krijuar për palestrën fantome e ka gjetur Avdullah Hotin në pozicionin më delikat në karrierën e tij politike.
Hoti po ballafaqohet aktualisht me një injorancë të pashembullt të ministrit të kulturës, rinisë dhe sportit, kolegu i partisë së tij, Kujtim Shala, i cili nuk po ndalet duke shpërndarë mjetet e buxhetit në stadiume për sporte të rangjeve të ulëta, apo sporte të një niveli shumë pak ose hiç të zhvilluara.
Injorimi që Shala po ja bën kolegut të tij të partisë, të parit të LDK-së në Rahovec mund të ketë konsekuenca, dhe këtë e di më së miri vet Avdullah Hoti, i cili e sheh veten nën presion enorm para 27 vjetorit të LDK-së pikërishit për këtë arsye.
Në vjeshtë u zbulua skandali i ri alokimit të mjeteve të dedikuara për palestër, të cilat u çuan në një fshat të Podujevës, bastion i LDK-së. Pikërisht në vjeshtën e vitit 2016 ishte Hoti që premtoi finalizimin e palestrës në fillim të vitit 2017.
Edhe këtë premtim, ai nuk e mbajti. Dhe, pakënaqësia qytetarë që është drejt kulmimit nuk është befasi për askënd.
Të gjithë e dimë se zgjedhjet nacionale janë afër. Të gjithë e dimë se fushata politike ka filluar.
Mirëpo, tendenca për të mashtruar qytetarin e Rahovecit për të bërë fushatë politike me një projekt të turpit i cili është koha e fundit të përfundohet, nuk do të funksionojë kësaj radhe.
Së fundmi ministri i financave Hoti u godit nga një baner i tifozëve Ultras Vreshtarët, të cilët e quajtën palestrën turp të tij.
Këta djem të rinj të mrekullueshëm që me shpenzime të veta personale po përkrahin klubet sportive përçuan mesazhin më të fuqishëm deri tash për Avdullah Hotin, duke e lënë atë në pozicionin më të palakmueshëm në karrierën e tij politike.
Ai i quajti ata disa djem të rinj, teksa veprimin e tyre e quajti një turp, në një postim ku edhe premtoi përfundimin e palestrës.
Në këtë rast, i pari i LDK-së në Rahovec e ka vënë vetveten nën presion, në një pozitë ku e ka obligim moral dhe qytetar ta përfundojë projektin famëkeq.
Ai gaboi kur fajësoi djemt, por duartrokitje dhe përkrahje ai nuk duhet të presë nëse zhagitet ky projekt dhe nuk aktivizohen sportet.
Avdullah Hoti më mirë se të gjithë e di se nëse nuk e fiton Rahovecin në zgjedhjet e ardhshme, atëherë do të rishqyrtohet pozicioni i tij në LDK-në e drejtuar nga Isa Mustafa.
Avdullah Hoti e di më mirë se të gjithë se duhet të sakrifikojë nga buxheti i Kosovës dhe të ri alokojë mjete shtesë për këtë projekt, vetëm e vetëm që ta përfundojë projektin, dhe të demonstrojë vullnetin e mirë që ka për qytetin, që ka për qytetarët. 270 mijë eurot e ndara janë qesharake, dhe Hoti duhet t’i gjejë nën dhe së paku edhe 700 mijë euro për ta finalizuar palestrën më moderne në Kosovë sipas standardeve ndërkombëtare.
Nëse Hoti vazhdon të shtunën me retorikën boshe duke premtuar fundin e palestrës, pa veprime konkrete, në një proces që mund të kulmojë në protesta të dhunshme – kjo në të njëjtin moment do të fundoste karrierën e tij politike – PËRFUNDIMISHT, sepse humbjen e thellë në zgjedhjet e ardhshme do ta ketë të garantuar nëse kjo ndodhë.
Por, nëse ai vërtet demonstron përkushtimin, demonstron se përtej sharlatanëve të partisë së tij, ai ka vullnet për zgjidhjen e këtij problemi, ka vullnet për të ngritur sportin dhe Rahovecin, demonstron fuqinë që posedon në të mirën e qytetit të Rahovecit, atëherë ai do të shënonte fitoren më të madhe politike, pavarësisht inateve që ka me kryetarin e Rahovecit nga PDK-ja, Idriz Vehapin.
Të dy në fund do ta prejnë shiritin e palestrës së turpit, megjithatë, fitorja politike e Avdullah Hotit do të jetë e një dimensioni spektakolar.
Avdullah Hoti e ka vet në dorë fatin e tij politik. Për një gjë shumë normale dhe esenciale, për një gjë që i takon edhe atij moralisht të veprojë pozitivisht në drejtim të realizimit.
Palestra është e të gjithëve. Është edhe e jotja zotëri ministër…
(Ky është editorial i portalit më të madh në regjionin e Anadrinisë, Rahoveci24. Ky qëndrim është politikisht i pavarur, dhe interes të gjithë qytetit).