Mbrojtësi i KF Rahovecit, Durim Canziba, ka thënë se ai është ende duke u rikuperuar nga lëndimi i pësuar në kofshë, teksa shpreson të rikthehet në ndeshjen e ardhshme.
Canziba e pranoi se nuk do të luajë ndaj 2 Korrikut, por shpreson të jetë gati për ndeshjen e radhës.
Ai ka folur për Fadil Vuçitërnën të cilin e cilëson trajner të madh, kurse ka ftuar tifozët që të jenë të gjithë në stadium.
“Jam lënduar qysh para dy jave në stërvitje, ku i kam këputuar fijet muskulore të pjesës së muskulit të përparëm të këmbës të quajtur Quadriceps”.
“Sipas fizioterpeutit tim, profesor Qazim Veseli, nuk më lejohet që të zhvilloj ndeshjen kundër 2 Korrikut sepse nuk jam në gjendje gatishmërie për lojë sepse është një lëndim që ka nevojë për pushim më të gjatë. Shpresoj që ndeshjen e ardhshme të jem 100% i gatshëm”.
“T’iu them të drejtën jam i zhgënjyer pas ndeshjes kundër Kosovës së Prishtinës. Ata që ishin prezent në atë ndeshje e kanë parë një ekip që nuk jemi mësuar ta shohim ashtu. Thjesht, nuk ishte dita jonë. Kemi pasur shumë raste në pjesën e parë, por fati nuk ishte me ne”.
“Shfrytëzoj rastin që t’ia uroj postin e trajnerit Fadi Vuçitërnës. Ende nuk kam pasur rast që të zhvilloj stërvitje me të shkaku i lëndimit, por me trajnerin njihemi një kohë të gjatë sepse kam qenë lojtar i tij dhe njoh sistemin e përgatitjes, disiplinës strikte, vullnetin e madh që posedon trajneri Fadil Vuçitërna e që rrallë në Kosovë ka kësi lloj trajnerësh. Jam shumë i bindur se në krye me trajnerin Vuçitërna do të arrijmë mbijetesën në Ligën e Parë”.
“Mesazhi im për tifozët është së pari duke ju kërkuar falje për atë humbje javën e kaluar. I falënderoj të gjithë ata që ishin prezent në ndeshjen e kaluar edhe pse në fund nuk i gëzuam. I bëj thirrje tifozëve Ultras Vreshtarët që të jenë në numër sa më të madh në stadium dhe të mbështesin ekipin drejt fitores”, ka deklaruar Canziba për Rahoveci24.