Besnik Sharku: Me ndihmën e Zotit dhe të tifozëve, BASHKË mposhtim Trepçën

Basketbollisti i KB Rahovecit, Besnik Sharku është shprehur shumë në disponim para duelit të vështirë ndaj Trepçës.

Nëse Rahoveci e mposhtë Trepçën të martën mbrëma do të kualifikohet në Final Four të Kupës së Kosovës, që do të ishte arritja më e madhe në histori të sportit të Rahovecit.

Dhe Sharku është i vetdishëm për nivelin e këtij takimi.

“Po, e dimë se çfarë ndeshje është kjo dhe jemi tejet të fokusuar, nga trajneri, e deri te lojtarët. Personalisht ndihem shumë i motivuar, nga se luajmë kundër Trepçës, një nga skuadrave me më së shumti histori në basketbollin e Kosovës. Dhe kjo më motivon e më mbushë vetëbesim që të lë edhe gjakun në parket për të mposhtur Trepçën dhe për të shkruar historinë me bashklojtarët, që të shkojmë në FinalFour”.

“Jemi në një moment shumë të pozitiv, teknikisht dhe mentalisht. Kam qenë personalisht ta shikoj Trepçën në ndeshjen ndaj Yllit. Ne mund t’i mposhtim, nuk është e pamundur, dhe unë e di se çka duhet të bëj në parket, tashmë jemi përgatitur për këtë duel bashkë me trajnerin”.

“Përballja me amerikanët Stutz e Turpin? Respektoj të dy amerikanët e Trepçës, por unë po luaj për vendin tim dhe për historinë e qytetit tim, ndërsa ata luajnë për para. Unë kam motiv që të shkruaj historinë me motivin tim dhe me ndihmën e Zotit e të tifozëve, besoj në fitore dhe në një ndeshje të madhe nga të gjithë”.

“Arma më e fortë e jona është zemra, motivi për të nderuar gjithë ata që kanë kontribuar ndër vite për Rahovecin dhe dëshmorëve që kanë dhënë jetën për këtë vend. Këtë shpirt na e transmetojnë tifozët Vreshtarët në tribuna, të cilët i ftoj, sepse ata janë lojtari më i mirë e më i rëndësishëm për ne sot, vetëm falë tyre dhe me ndihmën e Zotit mund të shkruajmë historinë. Vetëm BASHKË mund të shkojmë në Final Four. Forca Vreshtarë”, deklaroi Sharku për Rahoveci24.

Besnik Sharku në ndeshje të mëdha ndaj top klubeve të Kosovës ka ditur të shfaqë performanca fantastike, sidomos në mbrojtje, teksa ka përqindje të lartë nga gjuajtjet prej gjysmë distancës.

Edhe në stërvitjen e fundit para duelit ndaj Trepçës ai u tregua shumë në formë çka mund të jetë shumë me rëndësi për këtë duel.

Ndeshja zhvillohet nga ora 19:00 në Suharekë, kurse nisja për tifozë me autobusë bëhet nga ora 18:00 në Park Plaza. /Rahoveci24/

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.