Një prej basketbollistëve më të rëndësishëm të KB Rahovecit, Besnik Sharku ka folur për Rahoveci24 në disa pyetje rreth përgatitjeve për stinorin pranveror.
KB Rahoveci është lider në Ligën e Parë, pa asnjë humbje. Besnik Sharku, i njohur për ngulitjet spektakolare dhe lojën e mirë (shikoni videon me ngulitjen e sezonit vjeshtor), foli edhe për palestrën, si pikë të dobët ku skuadra ende ndeshjet i zhvillon në Suharekë.
Intervista:
Si kanë shkuar përgatitjet për stinorin pranveror? Çka prisni deri në fund të sezonit dhe për play off ku sigurisht se do jeni?
Besnik Sharku: Përgatitjet po shkojnë shumë mirë, ashtu siç edhe i planifikoi trajneri Valentin Spaqi. Ato po vijojnë për mrekulli dhe besoj se jemi mirë të përgatitur fizikisht dhe të gatshëm për stinorin pranveror.
Cili është synimi real për sezonin e ardhshëm për KB Rahovecin?
Besnik Sharku: Besoj se deri në fund të sezonit do të vazhdojmë pa humbje dhe ta mbajmë këtë formë që e patëm në stinorin që e lamë pas, në play off besoj se do të radhitemi të parët në tabelë duke parë punën që po e bën trajneri Sapaqi. Besoj fuqishëm që do të jemi të parët dhe të pamposhtur. Synimet e KB Rahovecit janë të ditura që prej kur ka filuar sezoni 2015-2016 dhe dëshirojmë superligën dhe atë do ta arrijmë marrë parasysh atmosferën në klub.
Si e vlerëson mos përfundimin e palestrës?
Besnik Sharku: Palestra ka filluar të bëhet temë e tepërt. Ku do që shkojmë na pyesin e diskutojnë për palestrën që janë bërë punime maratonike. Uroj që të përfundohet sa më shpejt dhe kur të jemi në Superligë, do t’i zhvillojmë ndeshjet në qytetin tonë dhe të tregojmë sa shumë rahovecianët e duan basketbollin dhe sportin në përgjithësi.
Dy fjalë për tifozët?
Besnik Sharku: Vreshtarët na kanë përkrahur shumë vitin që e lamë pas, kanë udhëtuar në secilën ndeshje tonën. I falënderoj shumë që nuk na lanë vetëm në asnjë ndeshje. Besoj që edhe këtë vit do të na përkrahin edhe më shumë e ne besoj se nuk do t’i zhgënjejmë.
Klubi me në krye Alban Ramën kanë bërë disa përforcime. Driton Berisha erdhi nga Sigal Prishtina, një lojtar kualitativ që luan në pozitën tuaj. A mendoni se rrezikohet minutazhi juaj?
Besnik Sharku: Dritoni është fitues i Ligës Ballkanike me Prishtinën dhe është lojtar shumë i mirë në pozitën ku ai luan. Do të më ndihmojë shumë këtë vit, nuk kemi konkurrencë, por vetëm bashkëpunim e kohezion të madh në dobi të ekipit. Minutazhi varet ekskluzivisht nga trajneri. E përsëris, ai nuk është as konkurrencë as pengesë e imja, ne jemi bashkpuntorë dhe do të luftojmë për të klubin, do të luftojmë për synimet tona dhe që t’i bëjmë krenarë tifozët.