Basketbollistët e Rahovecit të cilit e kanë përfunduar stinorin vjeshtor me të dhjetë fitore pa asnjë humbje në ligën e parë të Kosovës, plotësisht janë të gatshëm për vazhdimin e kampionatit i cili fillon këtë fundjavë.
Në stërvitjet intensive 45 ditëshe, të cilët janë kryer në sallën standarde dhe universale të shkollës së mesme profesionale “Selajdin Mullabazi- Mici” në Rahovec, nën drejtimin e kryetrajnerit Valentin Spaqi marrin pjesë 17 basketbollistë, të cilëve iu janë bashkuar edhe dy përforcime, Albatrit Berisha, i ardhur nga Kastrioti i Obiliqit dhe Driton Bajrami, produkt i shkollës së basketbollit të klubit Sigal Prishtina.
Lidhur me ecurinë e përgatitjeve, kryetrajneri Spaqi, thotë:
“Përgatitjet po kryhen mirë, jemi në këtë sallë të mrekullueshme ku ka ngrohje, në krahasim me shumë palestra tjera, kushtet janë të volitshme, nuk kemi mundur të shkojmë jasht Rahovecit në përgatitje, por megjithatë jam i kënaqur, lirisht mund të them që seriozitetin që po e bëjmë, ka edhe ekipe në Superligë që këtë nuk e bëjnë, duke i falënderuar kryesisë së klubit me në krye kryetarit Bekim Hoxha, por edhe të tjerëve në kryesi, lojtarët po i binden urdhrave të mia, shpresojmë se do të vazhdojmë si në pjesën e parë, kemi pasur konkurrencën shumë të denjë si Drita e Gjilanit dhe Kastrioti i Obiliqit, me lojtarët jam shumë i kënaqur, na kanë munguar ndeshje miqësore, por kemi orarin më të volitshëm në fillim të stinorit pranveror, jemi favorit, por unë kurrë nuk i besoj kësaj teorie, por vetëm përfundimit të ndeshjes.”
Spaqi thotë se do të vazhdojnë me të njëjtin ritëm, po a do të kryhet kampionati pa asnjë humbje, nuk mund të garantohen, qyteti i Rahovecit besoj që është i interesuar për inkuadrimin në Superligë, duke i falënderuar edhe tifozerinë e flaktë “Vreshtarët”, të cilit me shpirt e zemër po na përkrahin.
Mustafë Merovci, është basketbollist i cili ka luajtur për shumë klube të Superligës, dhe në pyetjen tonë , se si janë gjasat që edhe me Rahovecin të kthehet në elitën e basketbollit kosovar, thotë:
“Do të ishte kjo kulmi i karrierës sime, shumë jam i bindur se do të vazhdojmë me serinë e fitoreve, kualitet kemi, dhe me përforcime që kanë ardhur do t’i arrijmë qëllimit me përkrahjen edhe të qytetit të Rahovecit, i cili meriton të ketë një klub në elitën e sportit kosovar”.