Analizë – 5 pika si mund të mposhtet Trepça dhe pse duhet të besojmë në fitore

KB Rahoveci do të ketë përballë një nga klubet më të trofeshme të basketbollit kosovar, KB Trepçën, të martën mbrëma, në atë që mund të jetë mbrëmje historike për sportin e Rahovecit, pasi për herë të parë në histori një klub i Rahovecit shkon në gjysmëfinale (FinalFour) të Kupës së Kosovës në ndonjë sport elitar.

Shumë analistë dhe kritikë po e nënvlerësojnë KB Rahovecin, ashtu sikurse edhe vet tifozët dhe klubi i KB Trepçës.

Megjithatë, ekipi i Rahovecit është gjithçka tjetër – pos për t’u nënvlerësuar, sidomos pas transferimit të amerikanëve Rashan Bellinger dhe Tyler Deihl.

Trepça zhvilloi mbrëmë duelin ndaj KB Yllit në po të njëjtën palestër në Suharekë ku do ta zhvillojë edhe ndeshjet ndaj Rahovecit, dhe në po këtë palestër Trepça të dielën pësoi humbje.

Rahoveci24 ka qenë prezent në këtë duel, ku ka parë nga afër të gjitha zhvillimet, dhe gjithë atë që ndodhi në lidhje me ekipin e Trepçës. Prezent në palestër kanë qenë edhe trajneri i Rahovecit, Jeton Nixha dhe asistenti i tij, Ibrahim Hoxha, ashtu sikurse edhe lojtarë të tjerë.

Por, si mund të mposhtet Trepça?

Atmosfera e zjarrtë

Trepça të dielën pati një ndeshje shumë të vështirë ndaj Yllit në Suharekë, jo vetëm për shkak të kualitetit të skuadrës nga Suhareka, por edhe për shkak të atmosferës së zjarrtë. Në momente të caktuara publiku ishte aq i zjarrtë sa që shkaktuan një mungesë koncentrimi te skuadra e Trepçës, e cila në momente kyçe humbi ekuilibrat në parket, çka bëri që në disa momente të jetë në epërsi të thellë, të pranojë disa treshe radhazi, e të shkojë në disavantazh, për të mos arritur të kthehet më kurrë. Klubi dhe tifozët e Rahovecit duhet të përkujdesen që atmosfera të jetë sa më e zjarrtë në këtë duel dhe që i gjithë qyteti i Rahovecit të jetë prezent për t’ia bërë sa më të vështirë ekipit mysafir.
Rahoveci duhet të jetë kompakt në mbrojtje në fillim të takimit dhe të përkujdeset që ekzekutimi në fazën e sulmit të jetë shumë i mirë dhe të mos humben topat. Të mos ekzagjerohen aksionet dhe të krijohet hapësirë e duhur në parket për shuterët nga distanca, forma e të cilëve është mjaft e mirë.

 

Fillimi i ndeshjes – kyç

Në dy ndeshjet e fundit në udhëtim ndaj skuadrave kosovare, KB Trepça kyç e kishte startin e takimit. Në fillim Trepça gjithmonë e nisë mirë dhe pikërisht aty u godit nga KB Peja dhe KB Ylli.
Ndaj Yllit në ndeshjen e të dielës Trepça e nisi më mirë ndeshjen duke krijuar epërsi në çerek të parë, por Ylli me mbrojtje të fortë dhe kundërsulme të shpejta arriti të krijojë epërsi prej 14 pikësh në çerekun e dytë dhe të mbyllë pjesën e parë me 11 pikë epërsi.
Ndaj Pejës në kuadër të Ligës Ballkanike, Trepça mbajti lojën të barabarët në fillim të ndeshjes, por e lëshoi atë në fund të takimit.
Edhe ndaj Ylli kështu ndodhi me Trepçën. Çereku i tretë për klubin mitrovicas është fatal, e edhe më i keq i katërti kur bjen tempo e lojës së tyre dhe koncentrimi. Kështu ndodhi edhe ndaj Yllit, ku secila përpjekje për të rikthyer rezultatin dështoi.
Nëse Rahoveci dëshiron ta mposhtë Trepçën, atëherë duhet që qysh në çerekun e parë ta godasë ekipin mitrovicas në kundërsulme dhe të ketë mbrojtje të fortë. Të imponojë lojën e vet dhe kjo të vazhdojë edhe në fillim të çerekut të dytë. Nëse pjesa e parë mbyllet pozitivisht, atëherë gjysma e punës është e kryer. Megjithatë, që kjo të realizohet do të jetë e vështirë.

 

Perimetri – vija për tri pikë (ofanzivë/defanzivë), dhe gjysmë-distanca

Pa asnjë dyshim, pika e dobët e Trepçës është vija për tre pikë – apo perimetri.

Në ndeshjen ndaj Pejës në kuadër të Ligës Ballkanike, Trepça nga 11 tentime për tri pikë, ishte 0% e saktë – nuk realizoi asnjë treshe. Kurse, pranoi plot 7 shtreshe nga Peja, përfshirë treshe vendimtare në periudhat e fundit të ndeshjes.

Ndaj Yllit, Trepça realizoi vetëm 5 treshe nga 18 tentime, apo 27%, që është shumë statistikë e dobët, teksa edhe për dy pikë nuk ishte më e mirë, vetëm 46% të tentimeve ishin të sakta.

Në anën tjetër, Ylli kishte 5 treshe që i realizoi, shumicën në çerekun e dytë kur ndodhi edhe shpërthimi vendimtar, teksa ishte 72 për qind i sakt nga gjuajtjet për dy pikë të cilat po ashtu ishin nga distanca e largët apo gjysmë distanca. Trepça lejoi shumë pikë nga distancat e largëta dhe kjo është pa dyshim pika e dobët e ekipit mitrovicas.

Ajo që duhet të bëjë Rahoveci është që të ketë mbrojtje me presing konstant një me një në një konstelacion të fortë zonal 3-2 në perimetër, çka do të neutralizonte rrezikun nga distanca dhe prej ku do të duhet të sigurohet që të mbyllen hapësirat, dhe aksionet e Trepçës të jenë sa më të gjata, dhe të kenë fund jo pozitiv për ta.

Në sulm Rahoveci duhet të ketë lojë të shpejtë, lëvizshmëri të topit dhe të lojtarëve, pasime të shpejta dhe që të krijohet hapësira e duhur për shooterët që të godasin pikërisht nga perimetri për një fillim sa më pozitiv të takimit.

 

Trapezi – depërtimet individuale, ‘cut’ hyrjet e rrzikshme nga anash – kapjet e topave nën kosh

Trepça ka treguar kualitet të jashtëzakonshëm individual në ndeshjet e fundit. Montreal Scott dhe Jeremy Wise janë fenomenal në depërtimet një me një dhe këtu duhet të përkujdesen Muhamed Hasani, Tyler Deihl dhe Altin Morina, që të implementojnë shumë presing në gjithë parketin në këtë dyshe, natyrisht me rotacion, sepse kjo formë e mbrojtjes lodhë lojtarët. Scott dhe Wise do të jenë shumë të interesuar që të depërtojnë në zonë, dhe sa herë kjo do të ndodhë, aty duhet të gjendet edhe një nga qendrat që të bllokojnë përpjekjet për kosh të lehtë. Agresiviteti i moderuar i Sharkut, Merovcit dhe Bajramit do të jetë shumë me rëndësi.

Këta të fundit do të kenë punë në anën tjetër me një lojtar shumë të papërshtatshëm siç është Frederic Stutz, i cili është fundamental në krijimin e aksioneve të Trepçës. Ai ka dëshirë të qëndrojë jashtë trapezit, që të presë implementimin e aksionit dhe të dal me ‘cut’ hyrje nga anash për të pranuar topin dhe për të realizuar kosh të lehtë. Besnik Sharku dhe Artin Gashi duhet të përkujdesen që të bllokojnë hapësirën për Stutz, nga i cili duhet të ketë kujdes të madh edhe për gjuajtje nga distanca, sepse është lojtar që di të shënojë edhe nga larg, por hyrjet me ‘cut’ i ka specialitet dhe këto duhet të ndalen nga KB Rahoveci.

Aspekt i rëndësishëm është edhe reboundingu, apo kapja e topave nën kosh. Trepça kishte vetëm 24 topa të kapur, përgjysmë më pak se Ylli (42) në duelin që u zhvillua të dielën, çka tregon se reboundingu duhet të jetë në nivel të lartë dhe aspekt ku duhet të tregojnë dominimin Sharku, Gashi dhe Bajrami dhe të mos lejojnë Stutz, Zekiqin ose Turpinin të jenë autoritativ nën kosh.

Kjo është fundamentale që të nisen kundërsulmet vrastare.

Formacionet startuese/pankina – ndikimi i tyre

Trepça pritet të ketë nga fillimi pesëshen e parë, të përbërë nga Wise, Scott, Stutz, Azemi dhe Zekiqi, të cilët do të provojnë që të përfundojnë lojën sa më shpejt, pasi të shtunën e presin Pejën në Mitrovicë në një duel shumë të rëndësishëm për Superligë.

Për këtë arsye, fillimi i duelit është shumë i rëndësishëm dhe Rahoveci duhet të paraqitet në një përbërje të fortë dhe të gjatë e cila do të përbëhej nga Tyler Deihl, Altin Morina, Artin Gashi, Besnik Sharku dhe Mustafë Merovci. Kjo pesëshe do të garantonte gjatësinë kundrejt lojtarëve të Trepçës, mbrojtjen e fortë dhe një mori të shooterëve të gatshëm për të gjuajtur nga perimetri, apo për të krijuar dalje të suksesshme nga blloqet për depërtime drejt në kosh. Kjo pesëshe startuese do të garantonte edhe një stol të mirë, ku Muhamed Hasani (sapo i kthyer nga lëndimi), Rashan Bellinger, Driton Bajrami, Albatrit Berisha dhe Valon Bunjaku, po ashtu do të ofronin kualitet edhe në pjesë tjera gjatë ndeshjes. Pra dy pesëshe ekstrem të forta për këtë duel, e jo vetëm një pesëshe të koncentruar shumë të fortë. Sepse stoli mund të jetë pikërisht kyç në këtë duel, pra lojtarët nga banka, kush do që do të jenë ata.

Mbetet të shihet çka do të ndodhë, por para së gjithash është e rëndësishme që ekipi të jetë kompakt, organizimi të jetë i mirë dhe që të trajneri të inspirojë vetëbesimin te lojtarët se Trepça mund të mposhtet, dhe kjo nuk është një utopi, kjo mund të ndodhë.

Është në duart e këtyre basketbollistëve që të hyjnë në historinë e sportit të Rahovecit dhe emrat e tyre të gravohen përgjithmonë në librat e historisë së sportit dhe në zemrat e sportdashësve të Rahovecit.

/Rahoveci24/

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.