Drejtori sportiv i KB Rahovecit, Alban Rama, ka bërë thirrje për maturi të publikut dhe ta konsiderojë duelin ndaj Trepçës si një festë me të cilën mund të shkruhet historia.
Për Rahoveci24 drejtori sportiv i KB Rahovecit, Alban Rama, ka deklaruar se janë bërë të gjitha përgatitjet për organizimin e ndeshjes në një nivel ndërkombëtar.
“Tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet për këtë duel nga një ekip i gjërë i cili është përreth klubit dhe nga vet qytetarët e Rahovecit, të cilët i falënderoj për përkrahjen. Të gjithë ne duhet të përkujdesemi që kjo të jetë një ndeshje e mrekullueshme në secilin aspekt, nga ekipi, tifozët, publiku dhe qytetarët. Kjo është një festë, me të cilën mund ta shkruajmë historinë me kualifikimin në FinalFour”, thekson Rama.
I pyetur për spekulimet se FinalFouri tashmë është përcaktuar në Mitrovicë ende pa u luajtur kjo ndeshje, me federatën që vetëm pritet ta kumtojë këtë njoftim pas ndeshjes, që është në fakt shenjë nënvlerësimi për Rahovecin, vet drejtori sportiv thotë se nuk është i brengosur për këto spekulime.
“Nuk jam i brengosur për spekulimet se FinalFour është paracaktuar në Mitrovicë. Ekipi duhet të jetë i fokusuar, ne nuk kemi çka të humbim, për ne është një festë dhe shpresojmë se në fund do të shkruajmë historinë dhe të kuptojë e gjithë Kosova se ne dimë të bëjmë gjëra të mira dhe se më në fund meritojmë palestrën”, shtoi ai.
Për tifozët “Vreshtarët” ai thotë se janë shembullorë dhe janë shembull i tifozerive moderne, andaj beson se ata do të kenë sportivitetin e duhur në tribuna, me çka do të përçojnë mesazhin në gjithë Kosovën se si bëhet tifozeria.
“Falënderoj të gjithë ata që do të udhëtojnë me iniciativë individuale. Edhe disa muaj duhet të kalojmë kështu. Klubi ka organizuar dy autobusë për shikues dhe qytetarë të interesuar, nisja e të cilit bëhet nga ora 18:00. Të shpresojmë për një spektakël basketbollistik”, përfundoi Rama.
Rama u shpall punëtori sportiv i vitit 2016 nga komuna e Rahovecit. /Rahoveci24/