​Veseli viziton fermerët në Krushë të Madhe: Qeveria po vonon me pakon e rimëkëmbjes

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka vizituar sot disa fermerë në Krushë të Madhe të Rahovecit. Ai tha se fermerët kanë nevojë për përkrahje të shtetit.

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli tha se fermerët të cilët po punojnë edhe në këto rrethana, duhet që të ndihmohen e falënderohen nga shteti.

Veseli: Pakoja e rimëkëmbjes duhet të miratohet

“Ajo çfarë duhet të bëjmë ne si institucione është të jemi afër të tyre. Muharremi e tha shumë mirë, mos me na mbyt pandemia, na mbysin bankat. Do të thotë për këtë po flasim për pakon e rimëkëmbjes, që sa më shpejt duhet të forcojmë kërkesën. Duhet ta vejmë në qarkullim paranë, në mënyrë që edhe fermerët edhe ndërmarrësit edhe punonjësit kudo që janë që të rigjenerojnë të ardhura. Në mënyrës që edhe bankat të kenë mundësi t’u ndihmojnë fermerët si Muharemi e Imeri. Jemi duke u vonuar, qeveria jonë po vonohet për arsye se është dashur sa më shpejt, po kalojnë javë që me ju ndihmu këtyre njerëzve. Çdo ditë për këta, çdo minutë është me rëndësi”, deklaroi Veseli.

Muharrem Hoti, i cili bashkë me Imer Durakun tash e sa vjet punojnë në afro 20 hektar, duke kultivuar produkte të ndryshme, tha se si fermerë kanë kërkesa të shumta. Meqë, siç tha ai janë duke u dëmtuar shumë, dhe kanë edhe mungesë të punëtorëve.

Hoti: Kërkesat tona janë të shumta

“Kërkesat tona janë të shumta. Nëse nuk na mbyt virusi neve tash, ka me na mbyt banka verës. Jemi lazëm për shumë sene sepse bujqësia është vetëm duke shkuar teposhtë, punëtorët nuk kemi. Kemi mbetur shumë pa punëtorë. Kryetarin e kisha lut me u duk më shpesh, e me na ndihmu neve në bujqësi”, Hoti.

Edhe Imer Duraku, i cili tash e sa vjet punon tokën me prodhime bujqësore, ka falënderuar Veselin për këtë vizitë, derisa ka kërkuar që të përkrahen në këtë kohë, marrë parasysh gjendjen jo të mirë në vend si shkak i situatës pandemike. /KosovaPress/

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.