​Hoti flet për masat që duhet ndërmerren për parandalimin e mbylljes së bizneseve

Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës bashkë me Arben Gashin, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, kanë pasur sot një takim me Odën Ekonomike të Kosovës dhe Odën Ekonomike Amerikane bashkë me disa biznese, ku është biseduar në lidhje me gjendjen aktuale në vend si pasojë e koronavirusit.

Hoti ka thënë se në këtë takim kanë shprehur qëndrimin se bizneset duhet të kenë mbështetje të menjëhershme, për të parandaluar mbylljen e tyre dhe humbjet e vendeve ekzistuese të punës, si dhe mbështetje afatgjate për investime të reja dhe zgjerim të punësimit.

Për më tepër, Hoti thotë se sa i përket mbështetjes së menjëhershme, nevojiten masa urgjente për të parandalimin e mbylljes së ndërmarrjeve si pasojë e krizës me koronavirusin e ri.

“Nëse firmat mbyllen tani për shkak të krizës, do të jetë shumë më e kushtueshme për shtetin të kthejë prapë ato në tre g. Masat e propozuara nga Qeveria në detyrë janë jo komplete dhe të pazbatueshme në praktikë. Ato masa kërkojnë ndryshimin e Ligjit të Buxhetit për 2020, e cila gjë nuk mund të bëhet me një Qeveri në detyrë”, shkruan ai në Facebook.

Sipas Hotit, masat afatgjata duhet të sigurojnë rimëkëmbje ekonomike në pjesën e dytë këtij viti dhe më 2021.

Hoti ka përmendur masat që duhet të mobilizojnë të gjitha burimet e financimit për biznese gjatë kohës me pandeminë me koronavirusin e ri COVID-19:

“(a) Për bizneset e mëdha, mbështetja mund të jetë përmes kredive me greis periudhë të gjatë dhe me normë shumë të ultë të interesit, si dhe duke parë mundësinë e aranzhimit të kohës së pagesës së obligimeve tatimore.


(b) Për ndërmarrjet e vogla dhe mikrondërmarrjet, mbështetja duhet të jetë e drejtpërdrejt duke financuar kapitalin fizik dhe kostot operative afatshkurtra.

(c) Për bizneset bujqësore, përpunuese të produkteve bujqësore e blegtorale, si dhe për bujqit, mbështetja duhet të jetë masive, e menjëhershme dhe e drejtpërdrejt, e targetuar në produkte me produktivitet më të lartë, e cila mbështetje siguron që të zvogëlojmë brenda dy viteve varësinë nga importi i produkteve bujqësore. Kjo është gjithashtu me rëndësi sepse bujqësia dhe zinxhiri prodhues e përpunues bujqësor është intensiv në faktorin punë, pra angazhon mjaft fuqi punëtore. Investimet kapitale në bujqësi duhet koncentruar urgjent në rritjen e sipërfaqeve nën ujitje, e cila e rrit produktivitetin shumëfish. /KosovaPress/

Shkruani koment:

Ju lutem shkruani koment.
Ju lutem shkruani emrin tuaj.