KB Rahoveci ka mbajtur së fundmi takimin e kryesisë së klubit, ku është diskutuar mbi ecurinë e sezonit.

Ecuria e deritanishme u vlerësua si pozitive nga antarët e bordit, duke thënë se synimi për të mbijetuar tashmë është përmbushur.

Përkundër mungesës së palestrës, shumica e antarëve të bordit të KB Rahovecit kanë votuar pro ndryshimeve në skuadër, të cilat do të marrin formë brenda pak ditësh.

Një nga lajmet më të mëdha që pritet të gëzojë qytetarët dhe tifozët është rikthimi i një nga yjeve të sezonit të kaluar, Tyler Deihl, i cili do të transferohet nga kampionati maqedonas, aty ku kaloi gjatë verës.

Rikthimi i Deihl tashmë ka mbetur vetëm të formalizohet dhe kërkesa e tij ka qenë që të jetojë në Rahovec, një kërkesë që do t’i përmbushet lojtarit i cili është mishëruar me qytetarët dhe me tifozët. Detaje për kontratën e tij dhe pagesën nuk ka për momentin.

Deihl pritet të përforcojë Rahovecin në pozitën 1 dhe 2, ku do të sjellë eksperiencën e sezonit të kaluar, ai që konsiderohet si ekspert i gjuajtjeev për tri pikë.

KB Rahoveci pritet të bëjë edhe një varg ndryshimesh tjera befasuese, të cilat kanë për synim që të sigurohet playoffi i parë në histori të klubit e qytetit dhe më pas me hyrjen në playoff të tentohet lufta për titull duke parë dobësimin e Prishtinës dhe Bashkimit.

Si kërcënim më serioz për playoff konsiderohet Trepça pas investimeve dhe për shkak të përkrahjes që ka nga FBK për të arritur playoffin dhe për të ripërsëritur derbin ndaj Prishtinës dhe për këtë të gjitha përgatitjet po bëhen për duelin e dytë pas rifillimit të ndeshjeve në janar ndaj Yllit, një duel ky i cili me një fitore do të formalizonte playoffin për klubin e Rahovecit.

Një faktor shumë i rëndësishëm mbetet përkrahja nga komuna dhe presioni për palestër, dy faktorë që mund të kenë ndikim në ekzistencën e vet klubit.

Rahoveci24 ka tentuar të marrë një prononcim mbi zhvillimet në klub, por antarët e bordit kanë refuzuar të konfirmojnë ndonjë prej këtyre zërave.

Zv. presidenti Fidan Rama refuzoi të konfirmonte ndonjë prej këtyre informacioneve, duke refuzuar të pohojë ose t’i mohojë ato.

“Do të informoheni me kohë në faqen zyrtare të klubit”, u shpreh shkurt Rama, duke refuzuar të konfirmojë rikthimin e Deihl dhe ndryshimet tjera në skuadër.

/Rahoveci24/