KB Rahoveci zhvillon ndeshjen e tretë ndaj KB Bashkimit të mërkurën në Gjakovë, që është ndeshja e parë si vendas këtë playoff.

Fillimi ishte i vështirë në playoffin e parë historik për Rahovecin, kryesisht për shkak të palestrës, ku përgatitja fizike ka ndikuar në rezultate negative.

Megjithatë, në ekip ekziston bindja se sezoni mund të zgjasë edhe më tutje, ku me një fitore të mërkurën ndaj Bashkimit do të shkohej në ndeshjen e katërt me rezultat 2-1 sërish në Gjakovë.

Nga fillimi Bashkimi është parë si kundërshtar që mund të mposhtet, por diferenca në kualitet është demonstruar në dy ndeshjet e para ku la për të dëshiruar paraqitja në mbrojtje.

Më i kritikuari ishte Mark Williams, ai i cili gjatë gjithë sezonit pati paraqitje monstruoze, por që nuk arriti të përmbushë potencialin e tij në dy ndeshjet e para në playoff, teksa June ishte ai që arriti të sjellë më të mirën e tij në dy takimet e para.

Kapiteni Sharku pritet të jetë bashkë me Merovcin dy pikat kyçe në rast të një suksesi duke u treguar më këmbëngulës në mbrojtje, pasi dihet se Bashkimi ka katër lojtarë në pozitat 4-5 dhe bara bie kryesisht te kapiteni i KB Rahovecit i cili ka bërë më të mirën në paraqitjet e tij duke u sakrifikuar për ekipin.

Loci në anën tjetër kërkon të largojë presionin nga lojtarët edhe pse në qytet ndihet presioni për skuadrën pas dy paraqitjeve mjaft të dobëta dhe është koha e fundit që edhe nëse sezoni mbyllet të mërkurën për klubin me plot vështirësi, të mbyllet me performancë të fortë para Ultras Vreshtarëve.

Klubi ka pasur vështirësi të jashtëzakonshme financiare, ku përkundër vështirësive, u arrit të sigurohej playoffi, në kushte ekstreme pa palestër, si asnjë qytet e klub tjetër në histori. /Rahoveci24/