Të hënën KF Rahoveci fillon përgatitjet parasezonale për Ligën e Parë.

Këtë e ka konfirmuar legjendari, Fadil Vuçitërna për portalin Rahoveci24, duke thënë se të hënën të gjithë lojtarët duhet të paraqiten në ora 18:00 në stërvitje.

Pos tjerash, ai u ka bërë thirrje të gjithë atyre që janë të interesuar të jenë pjesë e klubit dhe që mendojnë se mund të kontribojnë në skuadër, të vijnë dhe të sprovojnë veten.

Vuçitërna konfirmoi se ai do të jetë kryetrajner i skuadrës edhe për sezonin në vijim, teksa pret që së shpejti të konsolidohet edhe kryesia e klubit dhe të zgjidhen organet e reja.

Megjithatë, burime tjera të Rahoveci24 mësojnë se punën e drejtorit sportiv tashmë ka filluar ta kryej Fehmi Haxhimustafa, një njeri me përvojë në futbollin kosovar.

Rahoveci arriti të sigurojë ekzistencën në Ligën e Parë pas një gjysmësezoni historik ku nga vendi i fundit ishte Fadil Vuçitërna ai që udhëhoqi ekipin drejt shpëtimit prej rënies së papranueshme nga Liga e Parë. /Rahoveci24/