Politika është i vetmi art ku artistët rregullisht i prishin veprat e tyre madhështore. Dëshmi e gjallë është fitorja e mrekullueshme e Smajl Latifit në zgjedhjet për kryetar, e cila po prishet nga vet ai.

Shkruan: Arnolld Korenica

Autostrada e Dukagjinit – ky mastperlan i ri i asfaltit, apo thënë ndryshe, qyp i floririt tek i cili arrihet me “pak manipulim” dhe “pak korrupsion.

Megjithatë, jo gjithçka po shkon sipas master-planit. Qytetarët e Rahovecit, të bashkuar, nga të gjitha profesionet, janë duke u tubuar gjithnjë e më shumë, në vazhdën e një vetdijësimi shembullor, si kurrë më parë, i vonshëm dhe i munguar për shumë procese që kanë ndodhur.

Specialistët e krejt fushave dhe secili qytetar duhet të përgëzohen – ata janë pozicionuar stoikisht kundër të keqes më të madhe që nga paslufta, e cila do ta izolonte gjithmonë Rahovecin nga Kosova duke e bërë të paperspektivë.

Më mirë vonë se kurrë. Autostrada e Dukagjinit dhe varianti 6 i cili është servuar “si punë e kryer” nga Pal Lekaj dhe përkrahur nga Smajl Latifi, duket se nuk është punë e kryer, së paku jo për qytetarët nga të gjitha profesionet, nga të gjitha moshat, pa dallim.

I gjithë moblizimi qytetar po kalon me një injorim nga kryetari, Smajl Latifi, i cili në vend se të punojë kundër një proteste, do të duhej të ishte në rreshtin e parë të saj, sikurse kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, në mbrojtje të Lumbardhit.
Menjëherë reagoi Ramush Haradinaj duke parë presionin, e duke garantuar se pasuria shtetërore nuk do të preket.

Smajl Latifi mund të hesht dhe të injorojë qytetarët e Rahovecit, nga qyteti dhe fshatrat, që po kërkojnë variantin më të mirë dhe mos izolimin, siç është edhe plani i “dostave”.

Por, Smajl Latifi nuk duhet të harrojë që shumicës së atyre që ishin prezent në tubimin masiv u shkoi në shtëpi për t’ua kërkuar votat.

Mos reagimi i Smajl Latifit me shpresën se përfundimi i palestrës dhe Kupa e Kosovës do të jetë trofeu i tij me shkëlqimin e të cilit mund t’i verbojë qytetarët, është shqetësues, por tejet bindës për qytetarët që të vazhdojnë mobilizimin dhe të shprehin paknaqësinë e tyre.

Këshilli i protestuesve duhet të jetë kompakt, përgjegjësinë të mbajë në formë kolektive dhe jo individuale. Të vazhdohet së bashku përpara.
Smajl Latifi do të tentojë të fusë njerëz në Këshill për të shkaktuar mospajtime brenda, prej ku edhe do të dështonte organizimi. Egot duhet të ulen për toke. Këshilli duhet të qëndrojë kompakt dhe me vëmendje, sespe nxitja e egove dhe përçarjet nga brenda janë disa prej mekanizmave që do të përdoret nga pushteti.

Do të tentohet që të shfrytëzohen njerz nga e ashtuquajtuara “shoqëri civile” për të kontestuar dhe përqeshur Këshillin dhe të gjitha argumentet për variantin më të mirë, variantin 1. Këshilli duhet të ketë vëmendje dhe të mos bie pre e këtyre njerëzve që realitetin e dijnë, por e kanë obligim që t’i shërbejnë pushtetit.

Smajl Latifi është specialist në shndërrimin e shoqërisë civile në argatë të tij. Ai madje ka shuar portale duke ofruar shpërblime e pozita dhe Këshilli duhet të ketë kujdes që të mos joshet dhe të mbetet kompakt.

Smajl Latifi e ka fatin e tij politik në duart e veta. Ndonëse nuk vendos drejtpërdrejt, qytetarët presin prej tij që t’i dëgjojë dhe të qëndrojë në linjë me kërkesat e tyre. Fundja, ai është zgjedhur si kryetar për këtë.

U shkoi njerëzve në shtëpi për këtë – e kjo vepër madhështore artistike po prishet nga vet artisti i asaj fitore.

Kryetari i qytetarëve ka një dilemë para vetes:

Dostat ose votat – nëse Latifi nuk ka fuqi që t’i dëgjojë qytetarët, t’i mbrojë ata, për shkak se ndihet i shantazhuar nga “dostat”, atëherë më mirë le të japë dorëheqje dhe le të qëndrojë i mirë me “dostat” e tij. Le të ndahet talli milionësh i shpronësimeve, por ama, le të japë dorëheqje.

Së paku, qytetarët duan dikë që i përfaqëson interesat e tyre, është zëri i tyre dhe do të qëndronte në rreshtin e parë të protestave.

Nëse Latifi nuk vendos që të bëjë njërën zgjedhje nga kjo dilemë, atëherë do ta shikojë me sytë e vet perëndimin e karrierës së tij politike – njëjtë sikurse që perëndon dielli në një ditë të bukur vere në Drinin e Bardhë – të cilin mund të mos e shijojmë më, nëse vendosin ta shkatërrojnë atë.

Gjithçka që do të na mbetet nëse shkatërrohet Drini me variantin 6 të “dostave” do të jetë perëndimi i karrierës politike të Smajl Latifit.

(Autori është kryeredaktor i portalit Rahoveci24, pjesë e portalit Telegrafi.com. Specialist i marrëdhënieve me publikun dhe i marketingu)