Reagimi i Smajl Latifit në Facebook:

Të nderuar bashkëqytetarë, pas shumë komenteve në lidhje me koston e mirëmbajtjes së palestrës sportive në Rahovec, ndjej për obligim të ju sqaroj se Kuvendi Komunal i Rahovecit, ashtu siç është praktikë në Kosovë dhe jo vetëm, pasi ka bërë palestër, ka miratuar Rregulloren për Menaxhimin dhe Mirëmbajtjen e Paletrës, që është votuar nga asamblistët pa asnjë votë kundër! Pra, Rregullorja për Menaxhimin dhe Mirëmbajtjen e Palestrës është vendim i Kuvendit Komunal të cilin ne duhet ta zbatojmë. Para miratimit të kësaj rregulloreje, janë mbajtur edhe dëgjime publike, ashtu siç i përcakton ligji.

Ligji për Qeverisje Lokale na obligon që të rregullojmë edhe çështjen e palestrës, që është aset i Komunës. Si i tillë, shpenzimet për mirëmbajtjen e palestrës janë të mëdha dhe fondet që mblidhen nga të ardhurat shkojnë në mirëmbajtjen e palestrës.

Kurse, në vendet e tjera që kanë palestër në Kosovë, përqindja e Komunës është edhe më e madhe. Sipas vendimit të Kuvendit Komunal të Rahovecit, për ndeshjet që zhvillohen në palestrën e Rahovecit nga klubet sportive lokale, 80% e të ardhurave nga biletat i merr klubi e 20% Komuna e Rahovecit. Ndërsa, për reklamat lëvizëse, të gjitha të hyrat, pra 100% i merr klubi që i siguron reklamat! Për reklamat në objekt të palestrës ka pasur edhe 30% ulje të çmimit nga çmimi paraprak i propozuar. Gjithashtu, në rast të organizimit të ndonjë koncerti, 70% të të hyrave i merr organizatori e 30% Komuna, ndërsa, koncertet humanitare janë sigurisht falas.

Ritheksoj se edhe këto të hyra, të cilat do të shkojnë të gjitha për mirëmbajtjen e palestrës nuk do të mjaftojnë, por Komuna do të sigurohet që palestra gjithmonë të jetë në funksion dhe gjendje optimale!

Komuna e Rahovecit është e përkushtuar që të ndihmojë vazhdimisht edhe palestrën, edhe klubet sportive, gjë që është dëshmuar me finalizimin në kohë rekorde të palestrës dhe me rritjen e fondeve të ndara për klubet nga Komuna (shuma më e madhe e ndarë ndonjëherë) dhe ju sigurojmë se do të vazhdojmë të jemi pranë klubeve në çdo kohë, me të gjitha mundësitë!