Klubi i basketbollit Rahoveci vazhdon të shfaqet ambicioz. Rahoveci nuk ka palestër të tij dhe ndeshjet si vendas i luan në qytete të tjera, kryesisht në Gjakovë.

Në Gjakovë do t’i luajë ndeshjet si vendas edhe në hapje të edicionit pranveror të Superligës, por te Rahoveci kanë shpresë se shpejt do të vendosen në palestrën në këtë qytet, që ka nisur të ndërtohet mbi një dekadë më parë, shkruan sot Koha Ditore.

Përfundimi i punimeve për ndërtim të palestrës është shtyrë shumë herë deri më tash, ndërsa në klubin e basketbollit kanë shfaqur optimizëm se palestra do të jetë e gatshme për fund të muajit të ardhshëm.

Rahoveci shpreson se turneu final i Kupës së Kosovës në basketboll, që mbahet prej 27 shkurtit deri më 3 mars, do të zhvillohet në Rahovec.