Në Rahovec, komunë kjo shumetnike në jugperëndim të Kosovës, shqiptarët dhe serbët, siç e thonë vet, dikur kanë jetuar në harmoni fqinjësore, por sot, kjo marrëdhënie ka rënë vetëm në një përshëndetje të ndërsjellë.

Në pjesën e ashtuquajtur të epërme të Rahovecit, jeton popullata e përzier, ndërkaq, në pjesën qendrore të qytetit, jetojnë kryesisht shqiptarët. Në pjesën e epërme dhe kodrinore të qytetit ekziston përshtypja se koha është ndalur. Nëpër rrugë të këtij vendbanimi, kryesisht ecin të moshuarit.

Ata thonë se të rinjtë po ikin gjithnjë e më shumë për në Mitrovicë ose në Serbi, për shkak të papunësisë dhe mungesës së perspektivës.

Mbishkrimet “Shtëpia në shitje” nuk janë të rralla.

Në këtë vendbanim jeton Slobodanka Simiq me familjen e saj. Deri në përfundim të luftës, rreth 20 vjet më parë, ajo kishte jetuar në qendër të qytetit. Më pas kishte shitur banesën e saj dhe është vendosur të jetojë në vendbanimin shumetnik. Ndonëse rregullisht dhe lirshëm lëviz në Rahovec dhe më gjerë, ajo thotë se me nuk do të kthehej kurrë të jetojë në qendër të qytetit, sepse në atë pjesë nuk ka serbë.

“Nuk do të kthehesha edhe nëse më japin kush e di se sa para. Atje poshtë, jo. Por, ja, ne jetojmë këtu edhe më tej. Shkojmë gjithkah, në Prizren, në Prishtinë, në Pejë. Shkojmë edhe në shitoret që janë në pjesën e poshtme. Me fqinjët shqiptarë flasim vetëm me një ‘përshëndetje’. E kemi një floktare atje, që quhet Nagja. Na presin shumë mirë, thuajse nuk ka ndodhur asnjëherë asgjë”, rrëfen Simiq.

Në këtë pjesë të qytetit, tash e 10 vjet jeton edhe Blerim Krasniqi me familjen e tij.

Sipas tij, jetesa në këtë vendbanim është e qetë dhe e sigurt, ndërkohë që me fqinjët merret vesh në të dy gjuhët, shqip dhe serbisht.

“Kalojmë mirë në mes vete. Përshëndetemi. Ata i shohin punët e veta e ne tonat. Probleme dhe incidente nuk ka as te ne e as te ata. Situata ekonomike është e rëndë në gjithë Kosovën, pra edhe këtu”, tha Krasniqi.

Gati se ngjashëm thonë edhe banorët tjerë të këtij vendbanimi, me të cilët ka biseduar Radio Evropa e Lirë.

Jovan Bojiq, një zyrtar për kthim në Komunën e Rahovecit, thotë se aktualisht në këtë komunë jetojnë rreth 800 serbë nga 5 mijë sa kishin jetuar dikur këtu. Në të gjithë komunën e Rahovecit jetojnë mbi 55 mijë banorë. Megjithatë, të rinjtë po e braktisin këtë vend çdo ditë e më shumë për shkak të mungesës së perspektivës.

Më së shumti në numër, serbët jetojnë në fshatin e afërm, Hoçë e Madhe.

Sipas Bojiqit, incidente të mëdha nuk ka dhe komuna mund të shërbejë si shembull për bashkëjetesë të qetë. Kthimi i të zhvendosurve, siç thotë ai, gjatë viteve të fundit ka qenë mjaft i dobët për shkak të mungesës së fondeve, por që kohët e fundit situata është përmirësuar.

Vitin e kaluar janë ndërtuar tre shtëpi të reja, ndërkaq për këtë vit po bëhen përgatitjet për kthimin e 7 familjeve. Megjithatë, ai shpreh mendimin që kthimi i qëndrueshëm paraqet sfidë.

“Situata ekonomike është e rëndë. Si të kthyer, ata marrin, sipas programit, rreth 2 mijë e 400 euro për vetëpunësim, por kjo nuk është ndonjë shumë për realizimin e ndonjë biznesi. Perspektiva nuk është edhe e ndritshme, sa i përket punësimit”, u shpreh Bojiq.

Përveç punës në sistemin e Kosovës, por edhe në struktura të caktuara serbe, të cilat ende ekzistojnë – por, që autoritetet e Kosovës i konsiderojnë si paralele dhe jolegale – Bojiq theksoi që një numër i qytetarëve, në masë të madhe merret edhe me vreshtari. Megjithatë, sipas tij, mjaft prej tyre përballen me problemin e pasimit dhe eksportit të prodhimeve të tyre. /rel/Telegrafi/