Të enjten, me 29 nëntor, Gjykata Themelore e Gjakovës, dega në Rahovec, e ka dënuar me dy vjet burgim Hilmi Zenën, shkaktarin e vdekjes, përkatësisht ish-bashkëshortin e të ndjerës Antigona Morina, dhe me këtë rast përmes një komunikate për media ka reaguar edhe Rrjeti i Grave të Kosovës.

“Ju rikujtojmë se Gjykata e Apelit kishte vendosur për rigjykim të këtij rasti. Hilmi Zena, ish-bashkëshorti i Antigona Morinës, akuzohej se ka kryer veprën penale nga Neni 251mbi Shkeljen e detyrimeve familjare. E ndjera kishte vdekur 7 vite më parë për shkak të hemorragjisë së vazhdueshme, tri ditë pas martesës. Atëkohë bashkëshorti i saj, Hilmi Zena, përpos që nuk i kishte ofruar ndihmë mjekësore, dhe pavarësisht gjendjes së rënduar, ai kishte vazhduar marrëdhëniet seksuale me të, siç është konstatuar nga ekspertiza mjekësore”, thuhet në komunikatë.

Gjithçka që ndodhi në Gjykatë, ku burri i Antigona Morinës u dënua për moskryerjen e obligimit familjar

Të njoftuar nga një kronikë e përgatitur nga Kohavisioni dhe Koha Ditore mbi këtë rast, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) e shqetësuar për rastin ndërmori iniciativa të ndryshme përfshirë këtu edhe protestën “Drejtësi për Antigonën”, dhe njëkohësisht angazhoi avokaten Fehmije Gashi Bytyqi që të përfaqësojë familjen e Antigonës në të gjitha seancat gjyqësore.

“Falë angazhimit të RrGK-së unë kam arritur që ta përfaqësoj këtë rast në gjykatë, duke sjellë prova dhe propozime, të cilat i ka pranuar Gjykata. Falë këtyre provave, dëshmive të mjekësisë ligjore, ekspertëve gjinekologjik kemi arritur të sjellim para drejtësisë ushtruesin e veprës. Ne nuk duhet të harrojmë që këtë mund ta konsiderojmë sukses, pasi që, siç e dini në shkallën e parë i akuzuari ishte shpallur i pafajshëm, ndërsa tani kemi arritur që ai ta merr dënimin prej 2 vjetësh”, ka thënë Bytyqi.

“Edhe pse që nga raportimi fillestar, ky rast ka qenë mjaft shqetësues, përfshirë këtu edhe dështimin nga prokuroria që ta adresojë ankesën në vendin e duhur dhe duke e kategorizuar këtë vepër si shkelje e obligimit familjar dhe jo si vrasje, megjithatë, RrGK konsideron se vetëm me funksionim të drejtë të gjykatave ne mund të ndjehemi se të drejtat tona po respektohen dhe po marrin formë reale në praktikë”, thuhet në komunikatë.

Më tutje thuhet se ndëshkimet sipas ligjeve për ushtruesit e dhunës dhe vrasjeve të vajzave dhe grave, duhet të përcjellin mesazhin se këto vepra janë vepra penale të dënueshme dhe se sistemi ynë i drejtësisë nuk do ta tolerojë askënd të dal përmbi ligjin.

RrGK dëshiron të falënderojë mediat, përkatësisht Kohavisionin dhe Kohën Ditore për punën dhe angazhimin në përcjelljen e gjithë procesit të rigjykimit për rastin e Antigonës.

RrGK shprehë mirënjohje të thellë edhe për Agjencinë Austriake për Zhvillim (ADA) përmes të cilës u mundësua mbështetja për familjen e të ndjerës Antigona Morina.

Rrjeti i Grave të Kosovës është rrjet i më shumë se 140 organizatave të ndryshme të të drejtave të grave në gjithë Kosovën që synon të mbrojë, promovojë dhe mbështesë të drejtat e grave dhe vajzave.