Në rrugët e Rahovecit janë shfaqur një sërë gropash pak muaj pasi është bërë sanimi i gropave të vjetra në po këto rrugë.

Kjo ka pasuar me pakënaqinë e ngasësve të veturave, teksa Rahoveci24 e ka evidentuar tash e sa kohë këtë gjendje.

Në një prononcim për Rahoveci24, drejtori për Shërbime Publike, Feim Fetoshi, ka deklaruar se ai është i informuar për gjendjen.

“Jam i informuar për gjendjen. Nga e marta kanë dalë në terren inxhinerët për të saktësuar se ku janë hapur gropat dhe ku duhet të bëhen këto sanime”.

“Më pas, kompania e kontraktuar do të kryejë punët. Nëse moti do të jetë i mirë, gjë që shpresoj shumë të jetë rasti, atëherë rrugët do të sanohen brenda pak ditësh”, ka deklaruar Fetoshi për Rahoveci24.

Gropat kanë shkaktuar pakënaqësi te qytetarët dhe si për shumë projekte, Rahoveci24 ka qenë mediumi që ka ngritur zërin dhe ka ndikuar pozitivisht që edhe institucionet komunale të reagojnë dhe kështu të përmirësohet edhe kualiteti i jetës për të gjithë. /Rahoveci24/