Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Smajl Latifi, ka reaguar ndaj kandidatit për deputet nga PDK-ja, Blerim Latifi, pasi ky i fundit ka akuzuar Latifin se në zgjedhjet e kaluara me veturë zyrtare ka shpërndarë certifikata të veteranëve nëpër fshatra të Rahovecit.

Përmes një shkrimi në Facebook, kryetari i Rahovecit i ka quajtur qesharake akuzat e Blerim Latifit.

“Të dashur miq, para pak çastesh u njoftova se servili i parë i Kadri Veselit, Blerim Latifi e ka përmendur emrin tim për të tentuar njollosjen ndaj AAK-së dhe ndaj meje. Akuzat e tij qesharake i demanton vet personi në fjalë, i cili thotë se ‘kam përdorur veturë zyrtare’ në një kohë kur unë nuk kisha asnjë post në institucionet publike”, ka thënë Latifi i AAK-së.

[related-to url=”https://telegrafi.com/latifi-smajl-latifi-veture-zyrtare-ka-shperndare-certifikata-per-veterane/”]

Më tej ka theksuar se, PDK ka hedhur akuza ndaj tij edhe më herët, por sipas tij e tërë kjo po bëhet për shkak të frikës ndaj humbjes në zgjedhjet e 6 tetorit.

“Nuk është hera e parë që PDK, nën presionin e humbjes po hedh ndaj meje akuza totalisht të pabaza, të nxitura nga paniku i humbjes dhe i sondazheve në terren ku AAK po prin gjithnjë. Përgjigjen për shpifjet klasike të Blerim Latifit, që nuk dallojnë me ato të shefave të tij partiakë të bëra sa herë kanë qenë pranë humbjes do ta gjejnë në Gjykatë me padi dhe më 6 tetor me debakël në zgjedhje”, ka shkruar Smajl Latifi në Facebook, njofton Telegrafi.