Pas përforcimeve të mëdha që i ka bërë klubi i KB Yllit në prag të derbit ndaj Rahovecit, përpos që është në rrezik kjo ndeshje, në rrezik është edhe krejt playoffi.

Ishte klubi suharekas që ka bërë një mal investimesh duke konfirmuar blerjen e një qendre nga Kameruni, rikthimin e Mehmetajt dhe Elio Sadikut, e krejt kjo e ka qershinë mbi tortë, teknikun Arben Krasniqi, i cili gjashtë herë e ka fituar titullin.

Në prag të derbit të madh që zhvillohet javën e ardhshme, ekipi zhvillon takimin ndaj Prishtinës të dielën dhe ndaj Boreas në mesjavë, të dy ndeshje shumë të vështira.

KB Rahoveci gjendet në pozitë të favorshme për të zënë vendin e tretë dhe për të hyrë në playoff me shpresa për një finale të madhe për titull duke u shmangur nga një duel në rrethin e parë me Prishtinën, e duke kërkuar përballjen me Bashkimin.

Të njëjtën gjë kërkon ta bëj edhe Ylli, por KB Rahoveci duket se më nuk do të investojë.

Së paku kështu ka konfirmuar Alban Rama, drejtori sportiv i klubit, i cili thotë se mjetet janë të kufizuara dhe më klubi s’mund të bëjë përforcime.

Ai potencon se ekipi ka nevojë për dy përforcime të mëdha për të konkurruar për një titull të paprecedent, por thotë kjo është e pamundur me buxhetin minimal dhe pa palestër, e po ashtu edhe në mungesë të donatorëve.

“Jemi në një sezon historik, të cilin e nisëm për të mbijetuar dhe për ta mundësuar ekzistencën e klubit, e sot jemi në prag të playoffit dhe një lufte për titull. Tashmë, jam personalisht shumë i kënaqur, çdo arritje tjetër pas Final Fourit të Kupës do të ishte një plus dhe një befasi e arritje e madhe”.

“Klubi vazhdimisht ka hulumtuar për lojtarë dhe duke vlerësuar lëvizjet e klubeve tjera, ideale do të ishte nënshkrimi me dy lojtarë të rinj në pozitat 4 dhe 5, megjithatë, kjo do të jetë e pamundur për shkak të implikimeve financiare. Mjetet janë të planifikuara saktësisht deri në përfundim të sezonit, nuk kemi palestrën, nuk kemi donatorë. Personalisht jam i zhgënjyer se si është lënë klubi të luftojë në vetmi me forca të disa njerëzve dhe shikuesve plot vullnet”.

“Kjo është një kohë që nuk do të kthehet, një mundësi e papërsëritshme ta fusim Rahovecin në historinë e sportit. Ka edhe një javë kohë para fundit të afatit kalimtar definitiv dhe nëse do të ketë ndonjë ndihmë nga ndonjë ndërmarrje, do të ishte e mirë se ardhur, sepse pa ndihmën e të gjithëve, suksese të tilla është e pamundur të arrihen. Komuna na ka ndihmuar dhe jemi falënderues tej mase ndaj kryetarit Smajl Latifi, por ato mjete nuk mjaftojnë sepse dihet se Prishtina ka buxhetin 2 milionë euro, Bashkimi afro gjysmë milionë euro dhe Ylli së paku pesë ose dhjetë herë më të madh se tonin andaj tashmë e konsideroj të suksesshëm këtë sezon sepse ishim afër ta mposhtim Bashkimin dhe Yllin e kemi mposhtur dy herë”, theksoi Rama.

Ai foli edhe për mundësinë e rikthimit të Besnik Sharkut i cili është aktualisht në Norvegji, një mundësi që Rama e lë shumë të hapur për ndeshjet e fundit të sezonit pasi thotë se Besniku është sikur në shtëpinë e tij.

Sa i përket serisë prej tri ndeshjeve si vendas pa palestër, Rama thotë është mëkat që nuk kemi palestrën për të shijuar spektaklin dhe ku klubi me këto tri ndeshje do të përfitonte mjaftueshëm mjete për të bërë transferime dhe për të luftuar për titull e po ashtu do të gëzonte gjithë qytetin.

“Është vërtet mëkat që nuk kemi palestrën. Rezultatet janë protesta më e mirë, por nuk përjashtojmë masa tjera më radikale protestuese si klub bashkë me organizata tjera të shoqërisë civile. Por, ne do të mundohemi ta bëjmë ngrohtë për secilin ekip që do të vijë në Gjakovë ndaj nesh. Nuk do ta përjashtoj fitoren ndaj asnjë ekipi. As ndaj Prishtinës, pavarësisht që kemi respekt. Në gjysmëfinale e kemi parë se nuk jemi larg me kualitet dhe ndaj Prishtinës do të jetë test i forcave tona. Trajneri nuk është në rrezik që të shkarkohet. Jemi të kënaqur me punën e tij, sepse jemi klub i ri dhe duhet t’i kontrollojmë ambiciet tona. Trajneri ka mbështetjen e fuqishme të kryesisë së klubit dhe ai nuk do të jetë i rrezikuar në asnjë situatë sepse kemi besim të plotë në të dhe në të gjithë lojtarët që i kemi, andaj edhe nuk do të bëjmë asnjë ndryshim deri në fund të sezonit”, përfundoi drejtori sportiv, Alban Rama.

Alban Rama është një prej më meritorëve që KB Rahoveci gjendet aktualisht në një luftë për playoff dhe që ekziston. Ai ishte katalizatori i inkuadrimit në Superligë dhe tash edhe të sukseseve historike si Final Fouri i Kupës dhe playoffi i Superligës përkundër vështirësive të buxhetit minimal dhe mungesës së palestrës.

/Rahoveci24/