Në kuadër të shënimit të Ditës Botërore të Monumenteve të Trashëgimisë Kulturore, të hënën (18 prill), Drejtoria për Kulturë në Rahovec, organizon disa aktivitete kulturore.

Në bashkëpunim edhe me Qendrën Rinore në Rahovec dhe shkollat e mesme të komunës, do të vizitohen disa monumente të trashëgimisë kulturore të komunës së Rahovecit.

Plani i hartuar nga DKRS parasheh që të vizitohet Kulla e Sahatit në Rahovec, disa kulla dhe shtëpi të vjetra banimi, kulla e Mahmut Pashë Rrotullës në Apterushë, si dhe disa monumente të tjera të kulturës materiale në komunën e Rahovecit.

Pas vizitave, që fillojnë në orën 10, në orën 13:00 në muzeun komunal do të organizohet një tryezë, ku njohës së fushës së trashëgimisë kulturore do të diskutojnë rreth pasurisë kulturore dhe gjendjes së monumenteve të kulturës në komunën e Rahovecit.

Të interesuarit mund të marrin pjesë në këto aktivitete, ndërsa në muzeun komunal do të ekspozohen fotografi dhe artefakte të trashëgimisë materiale e shpirtërore të komunës së Rahovecit.

Dita Botërore e Trashëgimisë dhe e Monumenteve është miratuar nga Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s, përmes një rezolute në seancën e 22 nëntorit të vitit 1983. Prandaj, anekënd botës organizohen aktivitete dhe vizita monumenteve, vendeve, si dhe punimeve të restaurimit të monumenteve të kulturës.