Në fshatin Xërxë të komunës së Rahovecit, Qendra e Mjekësisë Familjare, e ndërtuar në vitin 2012, është kthyer në këtë gjendje.

Objekti i ndërtuar para 6 vjetësh me investim nga Komuna, ka nisur të shkatërrohet, raporton KTV.

Era e rëndë, myku nëpër mure, fasada e dëmtuar, mungesa e pastruesve e shumë probleme të tjera po e bëjnë të pamundur punën në këtë objekt.

Infermieret, të cilat punojnë aty, nuk kanë dashur të flasin para kamerës por kanë treguar që po përballën me kushte të mjerueshme.

Pacientët që vizitohen në këtë qendër tregojnë që kushtet në këtë objekt janë të tmerrshme dhe se duhet intervenim i menjëhershëm nga organet kompetente.

Kryetari i fshatit, Behar Thaqi, shprehet i indinjuar pasi që Komuna nuk po përkujdeset aq sa duhet për një fshat kaq të madh siç është Xërxa.

Drejtori i Shëndetësisë në Rahovec, Samir Mustafa, ka premtuar që punimet për riparimin e këtij objekti do të fillojnë qysh ditën e nesërme.

Shuma e investuar në atë objekt ka qenë 82 mijë e 400 euro, e për riparim janë ndarë 6 155 euro.