Qeveria aprovoi kërkesën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, për të ndarë 70.000 euro për filmin ‘Shok’, të nominuar për Oscar.
Shala tha se me këtë Kosova ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm në sferën e kinematografisë.

“ Ditë më parë vendi ynë shënoi një sukses të jashtëzakonshëm në fushën e kinematografisë me rastin e nominimit të filmit ‘Shok’ për çmimin prestigjioz Oscar. Kjo është një e arritur e madhe e cila është përshëndetur nga të gjithë. Nominimi i këtij filmi tregon trendët e suksesshme të kinematografisë kosovare në përgjithësi. Ky sukses po ashtu shtron edhe kërkesën për mbështetje financiare në funksion të promovimit të mëtejmë të filmit. Duke marrë parasysh rëndësinë e kësaj çështje dhe duke u bazuar në kërkesën e qendrës kinematografike të Kosovës, Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit propozon dhënien e shumës në vlerë prej 70 mijë euro nga fondi rezervë i qeverisë të Republikës së Kosovës për promovimin e filmit ‘Shok’. Në bazë të vlerësimeve për përmasat e këtij suksesi, kërkesën tonë e konsiderojmë në pajtueshmëri të plotë me prioritetet e qeverisë se Republikës së Kosovës për mbështetjen e këtyre kategorive”, ka thënë Shala.

Po ashtu, ai bëri të ditur se konsultat për këtë propozim i ka bërë edhe me Ministrinë e Financave.

“Dëshiroj të ju njoftoj se Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për këtë propozim ka zhvilluar konsultime paraprake dhe të domosdoshme me Ministrinë e Financave”, tha ai në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës. /Telegrafi/Rahoveci24/