Të dielën nga ora 17:00 KB Rahoveci do t’i testojë forcat ndaj klubit që ka 100 herë buxhet më të madh, kampionit aktual, skuadrës pa asnjë humbje, fituesit të Kupës së Kosovës, Sigal Prishtinës.

Ekipi ka kryer stërvitjet gjatë gjithë javës të cilat kanë qenë me dyer të mbyllura me urdhër të prerë nga trajneri Bujar Loci i cili ka bërë të gjitha përgatitjet me skuadrën pasi ka studiuar lojën e Prishtinës, falë edhe ndihmës së lojtarëve me përvojë si Muhamed Hasani dhe Mustafë Mervoci, të cilët janë edhe në analet e klubit dhe e përjetojnë me shumë emocione këtë duel.

Të gjitha diferencat pas gabimeve ndaj Bashkimit janë sqaruar dhe ekipi hyn super i motivuar për këtë duel, ku do të jetë testi i vërtetë i forcave të ekipit.

Ditë më parë Alban Rama, drejtori sportiv i klubit e konfirmoi se ky ekip do ta përfundojë sezonin, dhe nuk do të ketë transferime të lojtarëve të rinj për shkak të mungesës së buxhetit.

Ultras Vreshtarët pritet që të udhëtojnë në mënyrë masovike në Gjakovë ashtu si qytetarë të shumtë të cilët do të përkrahin ekipin drejt një fitore shumë të rëndësishme e cila do të ishte edhe befasi dhe një shok i vërtetë për gjithë basketbollin kosovar.

Edhe pa palestër, KB Rahoveci ka gjasat për të triumfuar në këtë takim, pasi loja e barabartë me Bashkimin që po ashtu luajti në mënyrë të barabartë me Prishtinën janë tregues që Rahoveci nuk është larg në nivel me këto dy ekipe.

Të gjitha rrugët çojnë në Gjakovë ku nisë seria prej tri ndeshjeve rresht në shtëpi e cila vazhdon të mërkurën ndaj Boreas dhe fundjavën tjetër ndaj Yllit të super përforcuar.

/Rahoveci24/