Nikoqirja e edicionit të tretë të HardhFest, Djellza Jaha, ka shprehur krenarinë e saj me prezencën e madhe në HardhFest dhe suksesin historik.

Ajo për Rahoveci24 ka deklaruar se është krenare dhe e privilegjuar që ishte pjesë e këtij festivali.

Sipas saj këtë edicion janë respektuar vlerat e diasporës dhe organizimi ka qenë i një formati botëror.

“Duke e ditur se sa njerëz profesionist punojnë në organzimin e HardhFest, e kam ditur që HardhFest sivjet do të jetë më fuqishëm se kurrë më parë. HardhFest tash po e shoh është mishëruar me qytetin tonë dhe aty ku ne jemi bashkë suksesi është i garantuar”, u shpreh nikoqirja rahoveciane nga Oklahoma City.

E pyetur se cila ishte ndjesia e saj që ishte mikpritëse e shumë vizitorëve dhe fytyrave prominente që vizituan festivalin, ajo thotë se gjithçka është meritë e Këshillit Organizativ të HardhFest.

“Ndihem e privilegjuar që unë si pjesë e diasporës rahoveciane të jem nikoqire e një festivali me format botëror. Njëherit e falënderoj Këshillin Organizativ të HardhFestit që e ka në projektin e vet edhe vlerat tona të diasporës”, përfundoi ajo.

Kur Djellza nga Oklahoma thotë se HardhFest është festival botëror dhe vetëm i bashkuar Rahoveci mund të arrijë suksese të tilla, atëherë fjalët janë të tepërta. /Rahoveci24/