Konstituimi i Kuvendit të Komunës së Rahovecit është bërë me datë 22 dhjetor të vitit të kaluar, mirëpo kjo Komunë ende nuk ka arritur që ta zgjedh kryesuesin e Kuvendit. Nëse kryesuesi nuk zgjidhet deri sonte në orën 00:00 atëherë komuna rrezikon që të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Gazeta Metro mëson se vetë kryetarët e partive politike në Rahovec janë të interesuar për zgjedhje të jashtëzakonshme.

Zgjdhja e kryesuesit ka dështuar gjatë ditë së djeshme si pasojë e mosmarrëveshjeve në mes të partive, e cila rezultoi me mungesë kuorumit në raundin e dytë të votimit.

Në garë për pozitën e kryesuesit të Kuvendit ishin Sali Sallteku nga PDK, Afrim Dina nga AAK dhe Fehmi Cena nga LDK.

Sipas një komunikate të komunës, pas votimit të fshehët në raundin e parë, nga 10 vota kanë marrë Sali Sallteku PDK dhe Afrim Dina AAK, kurse Fehmi Cena i LDK-së mori 7 vota. Edhe pse ishin të pranishëm në mbledhje, kuvendarët nga LV nuk kanë marrë pjesë në votim, shkruan Gazeta Metro.

Në situatën momentale Kuvendarit më të vjetër i takon thirrja e seancës, në këtë rast është Rexhep Oruqi.

Kuvendi i Komunës së Rahovecit, ka 31 anëtarë dhe përbëhet nga tetë subjekte politike. PDK ka 9 anëtarë, AAK 7 anëtarë, LDK 7 anëtarë, LV 4 anëtarë, AKR 1 anëtarë, Nisma 1 anëtar, Iniciativa Qytetare për Drejtësi dhe Unitet 1 anëtar dhe Lista Serbe 1 anëtar. /gazetametro.net