Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikallo nuk është paraqitur para Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor për arsye politike.
E mos pjesëmarrjen e tij në komision e kritikuan anëtarët e këtij komisioni.

Përfaqësuesit e kësaj ministrie gjatë raportimit u ankuan se projektbuxheti i ndarë për vitin 2019 për këtë ministri është jo i kënaqshëm dhe nuk i plotëson nevojat e fermerëve dhe bujqve.

Nga kjo ministri thonë se kanë kërkuar që buxheti i vitit 2019 të rritet deri në 100 milionë euro.

Zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Mevludin Krasniqi tha se për shkak të situatës politike, ministri Rikallo nuk është prezent sot për raportim në komision. Ai u shpreh se Rikallo çdo ditë del në punë dhe kryen obligimet e tij ligjore.

Ai theksoi se buxheti i kësaj ministrie për vitin 2019 është mbi 61 milionë euro, prej tyre 6.4 milionë janë ndarë për investime kapitale, mbi 24 milionë e 999 mijë euro për subvencione, kurse për grante mbi 25 milionë euro.

Ndonëse Krasniqi u shpreh se buxheti i kësaj ministrie krahas praktikave rajonale është më i ulëti, dhe duhet të rritet, sipas tij edhe me këtë buxhet është rritur numri i përfituesve, ku në vitin 2018 kanë përfituar nga grantet investive mbi 600 bujq.

Krasniqi: Për çështje politike nuk ka ardhur ministri

“Janë çështjet politike dhe aktuale që kanë qenë në Kosovë dhe ne me të gjitha kapacitetet dhe mundësitë që na i lejon ligji po mundohemi që ta zëvendësojmë, gjegjësisht t’i kryejmë detyrat dhe obligimet tona që i kemi që qytetarët e Kosovës, në këtë rast bujqit të mos mbesin prapa. 61.351, 561 euro prej kësaj 2.5 milionë është për paga dhe mëditje, 3.3 milionë për mallra dhe shërbime, subvencione dhe transfero janë 4,8 milionë e 877 euro, ndërsa shpenzime kapitale për buxhetin e vitit 2019 i ka 6.4 milionë“, ka thënë ai.

Gjatë raportimi, ai tha se kryesisht tek investimet kapitale buxheti është investuar në sistemin e ujitjes në lumin Radoniq, dhe infrastrukturën rrugore të vreshtave në Rahovecë dhe Suharekë.

Për mungesën e ministrit Rikallo, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sali Zyba nuk ka arsyetim për mos prezencën e tij në mbledhje përkundër insistimit të vetë deputetit.

Zyba: Nuk ka arsye pse mungon sot ministrin

“Insistimi im ka qenë që të jetë ministri sot këtu, të paktën derisa jemi prezent secili edhe mysafirët në këtë rast këtu. Nuk e kemi një arsyetim pse nuk është ministri përkatës, andaj nuk është evidentuar as kërkesa ime, këmbëngulësia ime që të jetë ministri, sepse i njëjti ka deklaruar jo një herë, por disa herë që do të jetë sa herë që ka nevojë“, ka thënë Zyba.

Ndërsa kryetari i Komisionit Muharrem Nitaj tha se ai ka kërkuar që ministri Rikallo të jetë në komision kur po bisedohet për projektbuxhetin e vitit 2019, dhe është një çështje urgjente që është dashur të diskutohet.

Shqetësimet e saj lidhur me pagesat direkte, transferet pati deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri, e cila hendikep të madh për sektorin e bujqësisë e ka konsideruar vendimin për emërimin e ministrit të Bujqësisë nga minoriteti serb.

Gaxherri: Hendikep i madh emërimi i ministrit të Bujqësisë nga minoriteti serb

“Kur ngritim tema të tilla kërkojmë dhe nuk pranojmë përveç ministrit në takime, ky është një rast që ndoshta është tejkaluar prej fillimit të vitit natyrisht politik nuk po dua t’i hy dhe ta shqyrtoj tash, por dua me thënë me këtë rast që vërtet kjo Qeveri këtë fushë, siç është bujqësia me vetë përcaktimin e një ministri, i cili është nga minoriteti serb dhe nuk ka funksionuar prej ditëve të para. Normal, për mendimin tim është një hendikep i madh, sepse tek e fundit, ne si shtet po pretendojmë që vërtet edhe industrinë e bujqësisë ta zhvillojmë”, ka thënë ajo.

Gaxherri bëri pyetje dhe për Institutin Bujqësor në Pejë, derisa në përgjigjen e tij sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë, Kapllan Halimi u shpreh se ai institut është ndër më modernët në rajon dhe mbulon të gjitha analizat për mbrojtjen e bimëve.

Anëtarët e këtij komisioni patën pyetje edhe për programin për sigurime në bujqësi, dhe për këtë përgjigje pati ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Agjencionit për Zhvillim të Bujqësisë, Ekrem Gjokaj, i cili u shpreh se nuk janë të kënaqur me shumën e ndarë për këtë ministri.

Gjokaj: Nuk jemi të kënaqur me buxhetin aktual

“Ne nuk jemi aspak të kënaqur, sepse kërkesa jonë është mbi 100 milionë euro dhe nëse e marrim kërkesën që vjen nga sektori i fermerëve i kemi në baza vjetore 145 milionë euro dhe ne mund t’i akomodojmë vetëm 27 milionë, kështu që nuk jemi aspak të kënaqur. Ne i kemi përgatitur dokumentacion, e kemi përgatitur softuerin për me implemtuar sigurimet në bujqësi dhe në mungesë edhe të vullnetit politik nuk kemi vazhduar akoma”, ka deklaruar Gjokaj.

Deputeti i PDK-së, Andin Hoti ka kërkuar të dijë se a janë ndarë rezervat për dëmet bujqësore nga fatkeqësitë natyrore.

E përgjigje për këtë dha zëvendësministri i MBPZHR-së, Mevludin Krasniqi.

Krasniqi: Jemi duke punuar për zgjidhje afatgjate

“Kanë qenë të shprehura kryesisht dëmet në Rahovec, në Suharekë, në Mamushë, Ferizaj dhe zona të tjera dhe ju e dini se kjo çështje në mungesë të buxhetit që të trajtojë ministria në njërën nga mbledhjet e Qeverisë së Kosovës është marrë vendim që është formuar një komision ndërministror ta quaj…Që e kanë për detyrë dhe janë duke punuar për të gjetur zgjidhje kompensimit të dëmeve dhe për të gjetur zgjidhje afatgjate për të ardhmen”, ka thënë ai.

Anëtari i Komisionit për Bujqësi nga radhët e PSD-së, Salih Salihu u shpreh se për shkak të taksës së vendosur ndaj produkteve serbe dhe të Bosnjës është dashur të rritet buxheti i vitit 2019 për Ministrinë e Bujqësisë, pasi siç tha ai, duhet të mbështeten fermerët.