Raport nga Telegrafi.com –

Rahoveci e pret Yllin të shtunën nga ora 16:00 në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë, në atë që është ndeshja derbi më e madhe e këtij edicioni në Superligën e Kosovës në basketboll.

Dy skuadrat kanë krijuar rivalitet të jashtëzakonshëm që prej se Rahoveci hyri në Superligë.

Problemi me palestrën i cili u krijua pasi Rahoveci zhvillonte ndeshjen në Suharekë, ka nxitur tensione të mëdha mes dy tifozerive, çka e ka bërë këtë rivalitet të përbetuar.

Të dyja skuadrat duan fitore, e teksa ndeshja e parë përfundoi me një pikë epërsi në favor të Rahovecit në Suharekë, kësaj radhe mund të ketë epilog tjetër.

Altin Morina ka konfirmuar nënshkrimin me Yllin dhe do të jetë përforcim i fortë duke marrë parasysh se ai ishte pjesë e Rahovecit vitin e kaluar.

Muhamed Hasani, reprezentuesi i Kosovës, pritet të jetë bartësi i lojës për Rahovecin dhe njeriu që mund të kompensojë dy huqjet nga gjuajtja e lirë sezonin e kaluar në sekondat vendimtare duke gëzuar tifozët.

Me një fitore të dytë ndaj Yllit këtë edicion, Rahoveci do të ngjitej në pozitën e dytë në Superligë edhe pse pa palestër, e cila ka 10 vjet që ka nisur të ndërtohet dhe playoffi do të ishte shumë afër për herë të parë në histori të klubit Vreshtar.

Në këtë takim pritet të jenë prezent mbi dy mijë shikues, tifozeri të të dy skuadrave që pritet ta bëjnë këtë ndeshje të zjarrtë. /Telegrafi/