Policia e Kosovës ka njoftuar se sot rreth orës 14:00, njësiti i antidrogës në Gjakovë ka siguruar informacione relevante se një person i dyshuar në Rahovec mbanë në posedim në pronën e tij sasi të substancave të dyshuara narkotike.

Pas vlerësimit të situatës nga njësiti i antidrogës, janë aktivizuar njësitet kompetente policore në rajonin e Gjakovës dhe në konsultim edhe me organet e drejtësisë është realizuar një kontroll/bastisje në objektet që dyshohej se ishin në shfrytëzim nga personi i dyshuar.

Në komunikatën e Policisë së Kosovës, thuhet se pas realizimit të këtij operacioni kontrolli dhe bastisjeje ka rezultuar me gjetjen dhe konfiskimin e tri (3) çantave/paketimeve najloni, me ngjyrë të zezë të mbushura me substancë në formë bari ngjyrë e gjelbër, e dyshuar si substancë narkotike e llojit Marihuanë dhe pesha e tyre ka rezultuar të jetë 67 kilogram, tansmeton Telegrafi.

Njësitet kompetente policore, përfshirë edhe ato të krimteknikës kanë kryer procedurat e nevojshme në vendin e ngjarjes për sigurimin e dëshmive materiale dhe një person është arrestuar nga Policia.

Ndërsa personi i dyshuar, i arrestuar në këtë rast me urdhër të prokurorit kompetent është ndaluar për 48 orë për vazhdimin e procedurave të mëtejme ligjore./Telegrafi/